Gjykata e shkallës së parë rrëzoi kërkesat e Berishës dhe Malltezit për masat e sigurisë

Tiranë, 8 nëntor 2023 – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të mërkurën se kishte rrëzuar kërkesat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për shuarjen e masave të sigurisë.

Berisha kërkoi përmes avokatit të tij konstatimin e humbjes së fuqisë së masave shtrënguese të detyrimit për t’u paraqitur në policinë gjyqësore si dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, ndërsa Malltezi kërkoi shuarjen e masës së arrestit me burg.

Berisha dhe Malltezi po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për vepra penale të korrupsionit në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani” dhe ndërtimin aty të 17 pallateve – një biznes që sipas SPAK i mundësoi Malltezit që të fitonte 5.4 milionë euro nga ndërtimi.

Berisha i ka cilësuar akuzat si hakmarrje politike e orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe nuk i është nënshtruar masës së sigurisë. Përmes avokatëve të tij, Berisha ka nisur gjithashtu një betejë ligjore për t’i rrëzuar vendimet e Gjykatës si të kundraligjshme, duke argumentuar se masat ndaj tij ishin vendosur në shkelje të Kushtetutës.

Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj deklaroi për gazetarës pas seancës gjyqësore se kishin kërkuar sërish përjashtimin e gjyqtares nga procesi.

“Sigurisht kjo seancë ia vlejti për të dokumentuar shkeljen e radhës së gjykatës. Imagjinoni që vendimet janë të paekzekutuara, ndërkohë që Gjykata dhe Prokuroria flisnin sikur ato vendime janë komunikuar,” tha Gjokutaj, duke përsëritur akuzat për sheljen e Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale në këtë proces.

Pas procedurave të kryera në shkallë të parë, masat e sigurisë pritet të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit.

(Reporter.al)