Tiranë, 21 mars 2024 – Gjykata Kushtetuese vendosi të enjten më 21 mars të rrëzojë kërkesën e Alfred Belerit për shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimeve të Gjykatave të Posaçme të të dyja shkallëve dhe të Gjykatës së Lartë, për caktimin dhe lënien në fuqi të masës së sigurimit personal ndaj tij, “Arresti në burg”.
“Kërkuesi, në thelb, ka pretenduar se gjatë procesit për vendosjen ndaj tij të masës së sigurisë personale, gjykatat kanë zhvilluar një proces të parregullt ligjor, me anë të të cilit i kanë cenuar të drejtën për t’u zgjedhur për shkak të kufizimit të lirisë personale, si pasojë e vendosjes së masës ‘Arresti në burg’”, sqaron Gjykata Kushtetuese në njoftimin e saj dhe shton se për këtë arsye Beleri ka pretenduar se është vënë në pamundësi që të paraqitet personalisht për kryerjen e betimit si Kryetar i Bashkisë së Himarës pasi u shpall fitues në zgjedhjet vendore të vitit 2023, e për rrjedhojë gjendet në pamundësi të ushtrimit të këtij mandati të fituar.
Beleri ka pretenduar se masa e sigurimit e vendosur ndaj tij nuk është proporcionale në raport me nevojat e hetimit, duke argumentuar se vepra penale për të cilën ai akuzohet dënohet me burgim deri në 5 vjet. Tjetër pretendim ka qenë për cenimin e parimit të barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit, pasi nuk është trajtuar në mënyrë të barabartë në raport me shtetas të tjerë që ndodhen në të njëjtën gjendje. Gjithashtu, kërkuesi ka pretenduar cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak se gjykatat kanë rënduar pozitën e tij si i pandehur duke shtuar argumentet e prokurorisë dhe përforcuar arsyetimin për masën e sigurimit “Arresti në burg”.
Gjykata Kushtetuese çmon se subjekti nuk legjitimohet për pretendimin për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit. Në lidhje me pretendimin për kufizimin e lirisë personale në cenim të parimit të proporcionalitetit, gjykata ka vlerësuar me shumicë votash, se kufizimi i lirisë personale është vendosur nga gjykatat e zakonshme për një qëllim të ligjshëm që është garantimi i mbarëvajtjes dhe integritetit të procesit penal në ngarkim të Belerit. Gjykata vlerësoi, gjithashtu, se masa e sigurimit personal “Arresti në burg”, e vendosur nga gjykatat e zakonshme, nuk duket joproporcionale në kontekstin e rrethanave të çështjes.
Gjykata ka rrëzuar me shumicë votash pretendimin për cenimin e të drejtës për t’u zgjedhur. Megjithëse gjykata vlerëson se vendosja e masës së sigurimit personal “Arresti në burg” në ngarkim të Belerit, pamundëson kryerjen e procedurës së betimit nga ana e tij si kryetar i zgjedhur i bashkisë së Himarës dhe, për pasojë përbën edhe një kufizim të së drejtës së tij për t’u zgjedhur. Por, është arritur në përfundimin se kufizimi i lirisë personale të Belerit është bërë për një qëllim të ligjshëm dhe se kufizimi është proporcional në raport me këtë qëllim, nga për rrjedhojë shumica nuk ka gjeti cenim të së drejtës së kërkuesit për t’u zgjedhur.
Lidhur me pretendimin për cenimin e parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të rëndimit të pozitës nga gjykatat më të larta me anë të argumenteve për lëninen në fuqi të masës së soigurisë, çmohet se nuk mund të qëndrojë pasi nuk ka pasur rëndim të masës së sigurisë.
Alfred Beleri u deklarua fajtor për “Korrupsion aktiv në zgjedhje” nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe u dënua me 2 vjet burg. Pandeli Kokaveshi, i akuzuari si bashkëpunëtor i tij, u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.
Beleri dhe Kokaveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Alfred Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në zgjedhjet vendore të vitit të kaluar përballë kryebashkiakut socialist të Himarës, Jorgo Goro, i cili garonte për mandatin e tij të katërt. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit për Himarën.
Gjykata e gjeti të drejtë kërkesën e SPAK dhe e shpalli fajtor Belerin, pavarësisht pretendimeve të tij e të përfaqësuesve ligjorë për process të paregullt ligjor dhe të ndikuar politikisht.
(Reporter.al)