Tiranë, 24 janar 2024 – Gjykata Kushtetuese njoftoi të mërkurën shtyrjen e vendimit mbi padinë ndaj marrëveshjes Shqipëri-Itali për refugjatët, për shkak të provave të reja të kërkuara nga pala paditëse.
Gjykata njoftoi se në seancën gjyqësore të mbajtur të martën, “kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave”. Seanca gjyqësore e radhës do të mbahet me datë 29 janar.
Padia e 30 deputetëve të opozitës i kërkon GJK-së që të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën protokollin ndërmjet dy qeverive “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimin e ratifikimit të tij nga Kuvendi.
Ratifikimi i protokollit nga parlamenti aktualisht është pezulluar me vendim të kësaj gjykate në dhjetor. Vendimi për pezullim u dha vetëm disa orë para votimit në seancë plenare, pasi shumica socialiste e shqyrtoi dhe miratoi dokumentin e qeverisë brenda ditës në komisionet parlamentare, në mbledhje online pa prezencën e opozitës.
Marrëveshja për një qendër procesimi emigrantësh në Gjadër u firmos në fillim të nëntorit në Romë nga kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni dhe më pas u fut me procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin parlamentar.
Por ratifikimi i saj në Kuvend u pezullua automatikisht nga Gjykata Kushtetuese deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, pas pranimit prej Gjykatës të padisë nga deputetët e opozitës.
Sipas tekstit të marrëveshjes, pala shqiptare është angazhuar që të vendosë në dispozicion të qeverisë italiane territorin e vet për të ngritur kampe të ngjashme me burgjet si dhe të presë mijëra emigrantë nga vendet e treta për të paktën një periudhë 5-vjeçare. Marrëveshja është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe vendase për të drejtat e njeriut.
Amnesty International e cilësoi atë të paligjshme dhe e pazbatueshme, ndërsa një grup prej 29 organizatash të tjera, të fokusuara ndër të tjera te të drejtat e njeriut, iu drejtuan qeverisë shqiptare në një letër të hapur duke kërkuar tërheqjen nga kjo marrëveshje, pasi sjell shkelje të këtyre të drejtave dhe ‘burgosje të padrejtë’.
Marrëveshja që u nënshkrua pa transparencë, pa konsultim me Bashkimin Europian dhe pretendohet të jetë marrë në shkelje të ligjit.
(Reporter.al)