Gjykata Kushtetuese shtyn shqyrtimin e vendimit të qeverisë për konfiskim të pallateve pa leje

Tiranë, 11 prill 2023 – Gjykata Kushtetuese vendosi të martën që të shtyjë seancën e shqyrtimit për vendimin e Këshillit të Ministrave “Për rregullat dhe procedurat për konfiskimin për interes publik të objekteve të ndërtuara pa leje, për qëllim fitimi”.

Trupa gjyqësore u kërkoi palëve që të sillnin me shkrim parashtrimet e tyre dhe pretendimet e reja të ngritura në seancën e së martës, pasi përfaqësuesja e qeverisë, Elira Kokona kërkoi delegjitimimin  e palës paditëse të përfaqësuar nga 1/5 e deputetëve të Kuvendit.

Sipas Kokonës, subjekti paditës nuk legjitimohet formalisht, pasi dy nga firmëtarët e kërkesës, Grida Duma dhe Alfred Rushaj nuk janë më deputetë.

“Duhet të jenë 28 deputetë që të vënë në lëvizje gjykatën,” pretendoi përfaqësuesja e qeverisë, duke kërkuar pushimin e gjykimit.

Në tetor 2022, njëzetetetë deputetë demokratë dorëzuan një padi në Gjykatën Kushtetuese me kërkesën për shfuqizimin e VKM-së për shkak se sipas tyre, cenon barazinë e qytetarëve para ligjit.

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi kundërshtoi pretendimet e qeverisë me argumentin se 28 firmëtarët kanë qenë deputetë kur firmosën dhe gjykata është vënë në lëvizje përpara se dy deputetët të dorëhiqen.

“Me këtë logjikë i bie që nëse Presidenti i Republikës vendos në lëvizje Gjykatën Kushtetuese dhe nëse ai qëllon që i mbaron mandati, apo vdes, i bie që çështja të mbyllet,” tha Bardhi.

Pas shtyrjes së seancës, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po tenton të zvarrisë gjykimin e çështjes dhe të shantazhojë gjykatën .

“Është një nga ato çështje ku kryeministri ka guxuar që t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të mos lajthisë. Duhet të ndalë sulmet dhe të lejojë të merret në shqyrtim dhe të mbrohen vlerat e garantuara nga kushtetuta,” tha ai.

Ndërtimi pa leje është krim në Shqipëri dhe Kodi Penal parashikon dënime deri në 5 vjet burg për qytetarët e zakonshëm dhe 8 vjet burg për objektet me qëllime fitimi.

Megjithatë, Këshilli i Ministrave i anashkaloi këto sanksione përmes një vendimi të miratuar më 7 shtator 2022, i cili u jep ndërtuesve të mëdhenj një mundësi për t’i ligjëruar shtesat apo godinat e paligjshme, në këmbim të një pagese financiare apo dhënies së sipërfaqeve në favor të shtetit.

Vendimi parashikon procedurat e transferimit të sipërfaqeve të paligjshme nga subjektet private te shteti dhe anasjelltas dhe nuk e përmend në mënyrë eksplicite ndjekjen penale.

Për ekspertët e ligjit, ky vendim përbën një anashkalim të rendit juridik si dhe vendos një standard të dyfishtë mes biznesmenëve të mëdhenj dhe qytetarëve të zakonshëm.

(Repoter.al)