Gjykata lë në fuqi masat ndaj të akuzuarve për aferën e inceneratorit të Tiranës

Tiranë, 11 dhjetor 2023 – Gjykata e Posaçme la në fuqi masën e arrestit me burg për ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist Alqi Bllako, të akuzuar për shpërdorim detyre dhe korrupsion në atë që njihet si afera e inceneratorit të Tiranës.

Masë sigurimi me burg në mungesë u vendos edhe për dy biznesmenët në arrati, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, të akuzuar për “mashtrim” dhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”.

Masë sigurimi me burg u dha edhe për Erjon Murataj, anëtar i Komisioni Prokurimit për Inceneratorin e Tiranës, i cili është shpallur në kërkim për akuzën “shpërdorim detyre”.

Në burg u lanë edhe drejtori i infrastrukturës në Bashkinë e Tiranës Taulant Tusha, ish-zyrtari i Ministrisë së Energjisë Bledar Karoli dhe Namik Simixhiu, një nga anëtarët e Komisioni të Prokurimit të tre të akuzuar për shpërdorim detyre.

Për 7 të akuzuar të tjerë u caktua masa e sigurimit “arrest shtëpie”. Në këtë grup gjenden: Jetmir Llapaj, punonjës i Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pëllumb Abeshi, ish-zyrtar i ministrisë së Mjedisit, Alba Thoma, ish-drejtoresha Juridike e Ministrisë së Mjedisit, Valbona Ballgjini, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, Sidita Temali, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, Etleva Kondi, anëtare e komisionit të dhënies së koncesionit, Silena Tola, punonjëse e Qendrës Kombëtare të Biznesit, të gjithë këta të akuzuar për “shpërdorim detyre”.

Të akuzuarit i kanë mohuar akuzat. Ish-ministri Lefter Koka i dënuar tashmë në dy proceset e mëparshme në lidhje me inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit ka pretenduar se po sulmohej nga rivalët politikë.

Ky është procesi i tretë penal për atë që njihet si afera e koncesionit të inceneratorëve, që ka kushtuar miliona euro.  Hetimet e Prokurorisë së Posaçme për aferën e inceneratorit të Tiranës zgjatën tre vjet dhe identifikuan shtatë shkelje të mëdha ligjore në procedurat e dhënies së bonusit nga Këshilli i Ministrave, përgatitja e dokumenteve të koncesionit, studimi i fizibilitetit me të dhëna fiktive e deri te fshehja e pronësisë përmes një kompanie guackë në Holandë dhe paraqitja e të dhënave të rreme në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

(Reporter.al)