Hagë, 16 mars 2022 – Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara për mosmarrëveshjet mes shteteve urdhëroi Rusinë të mërkurën të ndalojë menjëherë operacionet e saj ushtarake në Ukrainë, duke thënë se ajo ishte “thellësisht e shqetësuar” nga përdorimi i forcës nga Moska.
Megjithëse vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) janë të detyrueshme, ajo nuk ka mjete të drejtpërdrejta për t’i zbatuar ato, dhe në raste të rralla në të kaluarën vendet i kanë injoruar ato.
“Federata Ruse duhet t’i pezullojë menjëherë operacionet ushtarake që nisi më 24 shkurt 2022 në territorin e Ukrainës”, thanë gjyqtarët e GJND-së në një vendim që u arrit me 13 vota pro dhe 2 kundër.
Ata shtuan se Rusia gjithashtu duhet të sigurojë që forcat e tjera nën kontrollin e saj ose të mbështetura nga Moska, nuk duhet të vazhdojnë operacionin ushtarak.
Ukraina e paraqiti rastin e saj në GJND menjëherë pasi filloi pushtimi rus më 24 shkurt, duke thënë se justifikimi i deklaruar i Moskës, se po vepronte për të parandaluar një gjenocid në Ukrainën lindore, ishte i pabazuar.
Përveç kundërshtimit të arsyeve për pushtimin, Kievi i kërkoi gjithashtu gjykatës marrjen e masave urgjente “të përkohshme” kundër Rusisë, për të ndalur dhunën përpara se çështja të dëgjohej plotësisht. Këto masa u dhanë të mërkurën.
(Zëri i Amerikës)