Sipas aktpadisë të ngritur nga ICC drejtuesit rusë janë përgjegjës për krime lufte, në veçanti për deportimin në Rusi të fëmijëve ukrainas të shkëputur nga prindërit.
Nga Ruben Avxhiu
Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve (ICC) ka lëshuar dy urdhra arrestimi, një për Presidentin e Rusisë Vladimir Putinin dhe një për Komisioneren e Të Drejtave të Fëmijëve në Presidencën Ruse, Maria Alekseyevna Lvova-Belova.
Sipas aktpadisë të ngritur nga ICC të dy drejtuesit rusë janë përgjegjës për krime lufte, në veçanti për deportimin në Rusi të fëmijëve ukrainas të shkëputur nga prindërit.
Këto krime janë kryer në trojet ukrainase të pushtuara nga Rusia pas 24 shkurtit 2022. Sipas ICC-së ka arsye të besohet se Putini ka përgjegjësi personale për këtë rrëmbim të paligjshëm të fëmijëve në kundërshtim me Statutin e Romës (artikujt 8(2)(a)(vii) dhe 8(2)(b)(viii).
E njëjta akuzë rëndon edhe mbi zyrtaren Lvova-Belova që mund të ketë mbikqyrur zhvendosjen e fëmijëve.
Një pjesë e tyre mendohet se janë adoptuar në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare nga familje ruse në zona të thella të vendit.