Hagë, 21 nëntor 2024 – Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi të enjten urdhër-arrest për Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, ish Ministrin e tij të Mbrojtjes Yoav Gallant dhe zyrtarët e Hamasit, të cilët i akuzon për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në luftën në Gazë dhe sulmin e 7 tetorit ndaj Izraelit që u bë shkas për fillimin e luftës.
Vendimi i gjykatës i shndërron Kryeministrin Netanyahu dhe të tjerët në persona të pandehur, të kërkuar ndërkombëtarisht dhe mund të shkaktojë izolimin e mëtejshëm të tyre, duke ndërlikuar përpjekjet për të negociuar armëpushimin që do t’i jepte fund luftës 13 mujore. Por ndikimi i këtij urdhër-arresti mund të jetë i kufizuar ngaqë Izraeli dhe aleati i tij kryesor, Shtete e Bashkuara nuk janë anëtarë të gjykatës dhe disa nga zyrtarët e Hamasit tashmë janë vrarë gjatë konfliktit.
“Dhoma e gjykatësve konsideron se ka bazë të mjaftueshme për të besuar se, të dy individët, qëllimisht dhe me njohuri të plotë, i kanë mohuar popullsisë civile në Gazë gjërat e domosdoshme për të mbijetuar, përfshirë ushqimin, ujin dhe ilaçet, si dhe karburantin dhe energjinë elektrike”, thuhet në vendimin unanim të panelit prej tre gjykatësish për urdhër-arrestin ndaj zotit Netanyahu dhe ish Ministrit të tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant.
Kryeministri Netanyahu dënoi urdhër-arrestin e lëshuar për të, duke thënë se Izraeli “kundërshton me neveri këto veprime absurde dhe të pavërteta”. Në një deklaratë të qarkulluar nga zyra e tij, ai shprehet se: “Nuk ka asgjë më të drejtë se lufta që Izraeli po e bën në Gazë”.
Presidenti izraelit Isaac Herzog e quajti vendimin e Gjykatës “ditë të errët për drejtësinë dhe ditë të errët për njerëzimin”.
Në një postim në rrjetin X, ai tha se gjykata ndërkombëtare “zgjodhi anën e terrorit dhe të së keqes, në vend të demokracisë dhe lirisë dhe e ka vendosur sistemin e drejtësisë në mbrojtje të krimeve të Hamasit ndaj njerëzimit”.
Gjenerali në pension, Benny Gantz, kundërshtar politik i zotit Netanyahu, gjithashtu e dënoi vendimin, duke thënë se vendimi është tregues i “verbërisë morale” dhe se është një “njollë e turpshme e përmasave historike që kurrë nuk do të harrohet”.
Ndërkaq grupi militant Hamas i mirëpriti urdhër-arrestet për Kryeministrin Netanyahu dhe ish-ministrin Gallant, por nuk i komentoi urdhër-arrestet e lëshuara ndaj drejtuesve të grupit militant.
Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi një urdhër-arresti për njërin prej drejtuesve të Hamasit, Mohammed Deif, për sulmin e 7 tetorit ndaj vendbanimeve izraelite. Kryeprokurori i kësaj gjykate tërhoqi kërkesën për urdhër-arresti për ish-drejtuesit e tjerë të Hamasit – Jahja Sinuar dhe Ismail Hanijeh, të vrarë gjatë konfliktit.
Ministria e Jashtme e Izraelit në shtator njoftoi se kishte dorëzuar argumentet ligjore që sfidojnë juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke argumentuar se gjykata nuk i dha Izraelit mundësi t’i hetojë akuzat përmes institucioneve të saj, para se të lëshonte kërkesën për urdhërarrest.
“Asnjë demokraci me një sistem të pavarur dhe të respektuar të drejtësisë, siç e ka Izraeli, nuk është trajtuar kaq padrejtësisht nga Prokurori”, shkroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme izraelite Oren Marmorstein në platformën X. Ai tha se Izraeli mbetet i “palëkundur në angazhimin e tij ndaj sundimit të ligjit dhe drejtësisë” dhe se do të vazhdonte t’i mbrojë banorët e tij kundër militantizmit.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë njoftoi të enjten se 44,056 persona janë vrarë dhe 104,268 janë plagosur që nga fillimi i luftës. Autoritetet palestineze thanë se numri i të vdekurve është më i lartë, ngaqë mijëra njerëz të vdekur gjenden ende nën rrënoja, apo në zona ku nuk mund të shkojnë ekipet e emergjencave.
Ministria palestineze e Shëndetësisë nuk bën dallimin ndërmjet civilëve dhe militantëve në numrin e përgjithshëm të viktimave, por thotë se mbi gjysma e të vdekurve janë gra dhe fëmijë. Ushtria izraelite thotë se ka vrarë mbi 17 mijë militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë shifër.
(Zëri i Amerikës)