Tiranë, 15 maj 2024 – Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar rrëzoi të mërkurën më 15 maj me një vendim të ndërmjetëm kërkesën e mbrojtësve të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për të mos pranuar si provë një akt ekspertimi tekniko-financiar të kryer në funksion të hetimit për përgjegjësit e ngjarjes tragjike në Gërdec në vitin 2008. Sipas avokatit Henrik Ligori, ky akt nuk i është komunikuar Mediut që të kishte pasur mundësinë për të mbajtur qëndrim, duke i cënuar të drejtën për një proces të rregullt ligjor. Po ashtu, u pretendua se ekspertët e zgjedhur në mënyrë të njëanshme nga prokuroria dhe se të pandehurit nuk i është dhënë mundësia t’i kundërshtonte.
Sipas avokatit Ligori, ekspertët kanë qenë në papajtueshmëri, pasi nuk ishin të licensuar, por ishin nëpunës civilë pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave, si dhe njëri prej tyre ishte me formim ushtarak. Po ashtu, u nënvizua se ekspertëve nuk u janë vendosur në dispozicion gjithë aktet. Ata i cilësuan me karakter juridik shumicën e pyetjetve për të cilat është dhënë përgjigje nga ekspertët, duke theksuar se duhej të ishin të gjitha teknike. Ligori deklaroi se kur një akt ekspertimi del nga konteksti teknik, atëherë nuk mund të jetë i përdorshëm. Avokatët e Mediut kërkuan që të të kryhet një akt ekspertim i ri, si dhe të thirren si dëshmitarë ekspertët e mëparshëm.
Prokurori Klodian Braho i kundërshtoi thuajse të gjitha pretendimet e të pandehurit dhe mbrojtësve të tij. Sipas Brahos, në përaktimet e Kodit të procedurës penale nuk parashikohen papajtueshmëri për ekspertët e zgjedhur. Ai deklaroi se Mediu është njohur me aktet në përfundim të hetimit të vitit 2009, si dhe kur janë mbyllur hetimet nga SPAK. Braho vërejti se nuk u paraqit nga mbrojtja asnjë qëndrim lidhur me aspektin financiar të konstatuar në aktin e ekspertimit. Ndërkohë, prokurori Braho tha se nuk kishin ndonjë kundërshti me kërkesën për pyetjen e ekspertëve. Në përfundim, ai kërkoi që të mos pranohet kërkesa për kryerjen e një akt ekspertimi të ri.
Në seancë paraqiti deklarime edhe Fatmir Mediu i cili e cilësoi gjyqin ndaj tij si politik. Qëndrimet e tij sollën reagimin e prokurorëve që kërkuan që deklarimet të jenë në funksion të objektit të gjykimit. Reagime pati dhe nga familjarët e viktimave të pranishëm në sallë, të cilët thanë se nuk mund të lejohej që i pandehuri të fliste si në parlament. Pasi avokatët replikuan me familjarët e viktimave, gjyqtarja Irena Gjoka ndërhyri për të mundësuar vijimin e seancës.
Ajo u kërkoi avokatëve që të vijohej me qëndrimet për provat e tjera të prokurorisë, por ata pretenduan se duhej që më parë të njiheshin me vendimarrjen lidhur me kërkesën për aktin e ekspertimit tekniko-financiar. Gjoka tërhoqi vëmendjen se nuk mund të vijohej që në çdo seancë të debatohej vetëm një provë. Ajo vërejti se në seancën e ardhshme do të organizohen që të diskutohet mbi gjithë provat e paraqituara nga prokuroria.
Pasi u tërhoq në dhomnë këshillimi, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi të rrëzojë kërkesën për kryerjen e një ekspertimi të ri tekniko-financiar dhe shtyu seancën për më datë 29 maj, në orën 09:00.
Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes së një prej viktimave të shpërthimit në mars 2008 në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, me 26 humbje jete e qindra të plagosur. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.