Prishtinë, 3 gusht 2023 – Gjykata Komerciale e Kosovës vendosi të enjten për shtyrjen e zbatimit të vendimit të qeverisë për pezullimin e certifikatës së biznesit të televizionit Klan Kosova, duke shmangur mbylljen e tij deri në një vendim përfundimtar të gjykatës për këtë çështje.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë me 28 korrik konfirmoi vendimin e saj të 14 qershorit për pezullimin e certifikatës se biznesit të Klan Kosovës për shkak të mënyrës siç është thënë kundër kushtetuese të regjistrimit të këtij televizioni. Sipas ministrisë në dokumentet e regjistrimit të biznesit shkruan “Pejë – Serbia dhe Gjakovë – Serbia”.
Por, Gjykata Komerciale vërtetoi sot pohimet e Klan Kosovës për ndryshimet e bëra me 21 qershor.
“Informatat mbi adresën dhe shtetësinë e pronarit të kompanisë me seli në Shkup janë ndryshuar menjëherë dhe të njëjtat janë dorëzuar me datë 21 qershor” thuhet në vendim
Në vendimin e Gjykatës Komerciale thuhet më tej se zbatimi i vendimit të ministrisë Klan Kosovës “do t’i shkaktonte dëm vështirë të riparueshëm, do t’i humbte licencën e operimit, rreth 220 punonjës do të ngeleshin pa punë dhe do të dështonte në përmbushjen e obligimeve kontraktuale” dhe do të dëmtonte edhe imazhin dhe besueshmërinë e televizionit.
“Qasja në informacionin e siguruar nga mediat është interes publik” thuhet në arsyetimin e gjykatës duke nënvizuar se kjo lidhet ngushtë me lirinë e shtypit e cila është një e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Kosovës.
Nga sot rrjedh afati prej pesëmbëdhjetë ditësh brenda të cilit Ministria e Industrisë ka të drejtë të ankohet kundër vendimit të gjykatës.
(Zëri i Amerikës)