Gjykata Speciale cakton 207 mijë euro dëmshpërblim për 8 viktima të rastit të Salih Mustafës

Hagë, 6 prill 2023 – Gjykata Speciale në Hagë ka vendosur sot 207 mijë euro dëmshpërblim për tetë viktima të çështjes gjyqësore kundër Salih Mustafës.
Trupi gjykues konstatoi se viktimat 8, 9, 10, 5,6, 12,11 dhe 13 kanë provuar se janë viktima të krimeve për të cilat u shpall fajtor Mustafa.
“Trupi gjykues vendos që të akordojë dëmshpërblim për viktimat e drejtpërdrejta dhe jo të drejtpërdrejta” … për të cilat është përgjegjës Mustafa”, njoftoi gjykata.
30 mijë euro dëmshpërblim është caktuar për viktimën numë 8, 80 mijë euro për viktimën numër 9, 60 mijë euro për viktimën numër 10, nga 10 mijë euro për viktimat numër 5, 6 dhe 12, 5 mijë euro për viktimën numër 11 dhe 2 mijë euro për viktimën numër 13.
Trupi gjykues ka theksuar se përgjegjësinë për pagesën e kompensimit për viktimat e mban Mustafa.
Gjykata ka lëshuar vendim për dorëzimin e të dhënave lidhur me Mustafën, për të parë nëse pasuria e tij mund të përdoret për zbatimin e urdhrit për zhdëmtimin e viktimave. Por, nëse Mustafa nuk ka mjete për ta bërë këtë pagesë, atëherë kompensimi mund të bëhet nga shteti i Kosovës.
“Sidoqoftë, fakti se Mustafës i mungojnë pjesërisht mjetet financiare nuk e liron atë nga detyrimi nga viktimat dhe ai mbetet përgjegjës për shumën e plotë të dëmshpërblimit të caktuar. Duke marrë parasysh gjendjen financiare të Mustafës, trupi gjykues theksoi nevojën për përfshirjen e aktorëve të tjerë për zbatimin e urdhrit. Një nga aktorët e parë mund të jetë Kosova. Ministria e Drejtësisë informoi trupin gjykues se viktimave mund t’u akordohet kompensim nga programi për kompensimin e viktimave të krimit që u themelua në bazë të Ligjit për kompensimin e viktimave të krimit”, ka thënë trupi gjykues.
Më 16 dhjetor 2022, trupi gjykues i Gjykatës Speciale e ka shpallur fajtor dhe ka dënuar Salih Mustafën me 26 vjet burgim për krime lufte.
(r.m.)