Hagë, 6 tetor 2023 – Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka njoftuar të premten se i ka arrestuar dy persona në Kosovë, të dyshuar për pengimin e drejtësisë dhe frikësimin e një dëshmitari.
ZPS-ja ka thënë se Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë arrestuan në bazë të një urdhërarresti të lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe se ata janë dërguar në qendrën e paraburgimin të DHSK-së në Hagë, ku do të dalin para një gjykatësi së shpejti.
Në njoftim thuhet se ata dyshohet se janë përpjekur ta “bindin një dëshmitar që të mos dëshmojë” në gjyqin e Dhomave të Specializuara.
“Bahtjari dhe Januzi u arrestuan në lidhje me krime kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë frikësimin gjatë procedurave penale, sipas nenit 387 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401(1), (2) dhe (5) të KPK-së, në shkelje të nenit 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Gjykatësi i Procedurës Paraprake ka vendosur se ka dyshime të mirë-bazuara se z. Bahtjari dhe z. Januzi u përpoqën të bindin një dëshmitar që të mos japë dëshmi në procedurat e Dhomave të Specializuara”, thuhet në njoftim.
Aty thuhet se në arrestimin e Bahtjarit dhe Januzit kanë ndihmuar Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe Policia e Kosovës.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen ndaj dëshmitarëve, dhe pengimin e drejtësisë, dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast”, thuhet në njoftim.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa procese gjyqësore, përfshirë edhe atë ndaj ish-krerëve të UÇK-së : Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Ata akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.
(r.m.)