Gjykata Speciale konfirmon lirimin e Hysni Gucatit nga burgu

Hagë, 17 tetor 2023 – Gjykata Speciale në Hagë ka konfirmuar se ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVL) të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, është liruar nga burgu. Në njoftim bëhet e ditur se Gucati është liruar me kusht.

“Më 12 tetor 2023, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova, vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij më 18 tetor 2023 ose rreth kësaj date, me kushtet e përcaktuara në vendim. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit, konkretisht për pjesën e mbetur të dënimit me katër vjet e tre muaj”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Në njoftim thuhet se Kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, ka konstatuar se Gucati ka reflektuar për veprimet e tij gjatë qëndrimit në objektin e paraburgimit në Hagë dhe se “sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës”.

“Kryetarja konstatoi se z. Gucatit pati mundësi të reflektonte për veprimet e veta gjatë mbajtjes së tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së dhe se sjellja e tij kishte ndryshuar me kalimin e kohës. Kryetarja theksoi shprehjet e pendesës së z. Gucati, në veçanti, veçanërisht faljen, gjatë seancës gojore, që ai shprehimisht u kërkoi të gjithë atyre që mund të ishin ndier të kërcënuar nga veprimet e tij”, thuhet në njoftim.

“Kryetarja vuri në dukje zotimin e vendosur të Gucatit se nuk do të përfshihej në veprime të tjera që mund të karakterizoheshin si vepra penale kundër administrimit të drejtësisë dhe se do t’i përmbushë të gjithë kushtet e përcaktuara për lirimin e tij”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Në njoftim theksohet se vendimi për lirim do të anulohet, nëse Gucati nuk përmbush cilindo prej kushteve të caktuara.

Në maj të vitit 2022, Hysni Gucati dhe zëvendësi i tij në OVL-UÇK, Nasim Haradinaj, u dënuan me nga katër vjet e gjysmë burgim, me akuzat për pengim të drejtësisë. Më pas Apeli ua uli atyre dënimet për tre muaj.

Gucati e Hradinaj janë arrestuar më 5 shtator të vitit 2020. Ata janë shpallur fajtorë që gazetarëve në Prishtinë u kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

Sipas aktakuzës, në këto dokumente ka pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë që mund të dëshmonin kundër ish-krerëve të UÇK-së, përfshirë edhe rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarëve të Kuvendit, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit.

(r.m.)