Nga Radio Europa e Lirë
Monitoruesit e punës së Dhomave të Specializuara të Kosovës kanë vlerësuar se ky institucion është duke trajtuar me profesionalizëm të drejtat e të akuzuarve dhe palëve të tjera në procedurë.
Megjithatë, Amer Alija, koordinator në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, ka thënë se Dhomat e Specializuara në seancat gjyqësore që janë zhvilluar deri më tani, në veçanti në rastin kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, kanë qenë aq të redaktuara, saqë ka qenë e vështirë të kuptohet nga monitoruesit se për çfarë në të vërtetë flitej në seancë.
Këto komente Alija i bëri në një debat publik të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare, të hënën më 31 janar.
“Seancat në rastin e Salih Mustafës kanë qenë tejet të redaktuara. E dimë që këto redaktime bëhen për shkak të sigurisë së dëshmitarëve, por nga 12 dëshmitarë, dhjetë prej tyre kanë qenë të redaktuara apo të mbyllura, ku mbi 70 për qind të seancave kanë qenë shumë të redaktuara dhe një monitorues laik do ta ketë të vështirë për të kuptuar se çfarë është duke ndodhur brenda seancave”, tha Alija.
Ai ishte kritik edhe sa i takon fazave përgatitore për procese gjyqësore, që sipas tij, Dhomave të Specializuara po u merr kohë të gjatë.
Udhëheqësja e Njësisë së Informimit dhe Komunikimit Publik në kuadër të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Angela Griep, tha se redaktimet e shumta si dhe kalimi në seanca private, bëhet më qëllim të mbrojtjes së dëshmitarëve.
“Ekzistojnë shpesh arsye shumë të forta pse gjyqtarët vendosin që të kalojnë në seanca të mbyllura dhe pse gjyqtarët vendosin që dokumentet duhet të redaktohen dhe kjo arsye, në të shumtën e rasteve, ndodh për të mbrojtur dëshmitarët apo njerëz të tjerë të cilët janë në një formë apo tjetër pjesë e procedurës”, tha Angela Griep.
Duke folur për punën e Dhomave të Specializuara në këtë debat, avokati Artan Qerkini tha se çështja e mbylljes së seancave ka ndikuar që opinioni të mos mund të përcjellë rrjedhën e gjykimeve.
“Unë e kuptoj se edhe mbrojtja e dëshmitarëve është një çështje për të cilën duhet të kihet kujdes gjykata, mirëpo në anën tjetër parimi i publicitetit është pjesë e gjykimit të drejtë dhe të paanshëm dhe nëse i kemi redaktimet, plus mungesën e publicitetit, atëherë thjesht opinioni po mbetet i mangët në lidhje me përcjelljen e rrjedhës së procedurës”, tha Qerkini.
Një kritikë tjetër për Dhomat e Specializuara ishte edhe mungesa e përkthimeve të disa materialeve gjyqësore në gjuhën shqipe dhe atë serbe.
“Si vërejtje do ta veçoja mungesën e publikimit të këtyre shkresave në tri gjuhë. Pra, kryesisht shkresat që lëshohen nga Dhomat e Specializuara publikohen vetëm në një gjuhë, por nuk publikohen edhe në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe”, theksoi Alija.
Si pozitive nga monitoruesit e punës së këtij institucioni u vlerësua fakti se proceset gjyqësore ose shqyrtimet kryesore mbahen me një intensitet të lartë dhe me një profesionalizëm të dukshëm, ku të drejtat e palëve në procedurë, sipas tyre janë duke u respektuar në mënyrë maksimale.
Aktualisht në Dhomat e Specializuara të Kosovës janë duke u zhvilluar dy procese gjyqësore, njëri ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa si dhe tjetri ndaj udhëheqësve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Procesi gjyqësor ende nuk ka filluar ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi si dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Pretendimet për këto krime të supozuara janë përmendur për herë të parë në një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, autor i të cilit është senatori zviceran, Dick Marty.