Gjykata Speciale nuk e lejon Hashim Thaçin të marrë pjesë në varrimin e të atit

Prishtinë, 17 mars 2025 – Gjykata Speciale në Hagë e ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit të babait të tij, Haxhi Thaçit, i cili vdiq të dielën në mbrëmje.

Lajmin e ka bërë të ditur Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

OVL UÇK e ka cilësuar si “të padrejtë, jo human dhe të papranueshëm” këtë vendim të Gjykatës Speciale.

“Ky vendim nuk është vetëm një shkelje flagrante e të drejtave themelore të njeriut, por edhe një akt që bie ndesh me vlerat universale të humanizmit dhe drejtësisë. Të ndalosh një bir që t’i japë nderimin e fundit babait të tij, është një akt i dhimbshëm që cenon dinjitetin dhe ndjenjat më të thella njerëzore”, thuhet në deklaratën e kësaj organizate.

Sipas saj, ky vendim i Gjykatës Speciale është një përpjekje e qëllimshme për të poshtëruar jo vetëm Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish-luftëtarët e UÇK-së dhe vlerat e luftës së UÇK-së.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së e konsideron këtë veprim si një akt të qëllimshëm dhe dashakeq të Gjykatës Speciale, e cila synon të poshtërojë dhe të degradojë jo vetëm Hashim Thaçin dhe familjen e tij, por të gjithë ish luftëtarët dhe vlerat për të cilat ata luftuan, në shenjë hakmarrje për mungesën e provave për inkriminimin dhe dënimin e drejtuesve të UÇK-së”, thuhet në deklaratë.

OVL UÇK u bën thirrje institucioneve dhe organizatave vendore e ndërkombëtare që të reagojnë fuqishëm ndaj këtij vendimi të Gjykatës Speciale.

“I bëjmë thirrje institucioneve ndërkombëtare, organizatave të drejtave të njeriut, institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe Shqipërisë që të reagojnë fuqishëm ndaj kësaj shkeljeje të të drejtave themelore dhe të marrin masa që raste të tilla të mos përsëriten, sepse të drejtat themelore nuk duhet të jenë objekt i abuzimit apo i hakmarrjeve”, thuhet në deklaratë.

Varrimi i Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, do të bëhet të martën në orën 15:00, në vendlindjen e tij, në Brojë të Skënderajt.

Të hënën, gjatë gjithë ditës, familja Thaçi ka pritur ngushëllime në Brojë. Që nga orët e hershme të mëngjesit atje kanë shkuar të afërmit dhe miqtë e familjes, si edhe shumë ish-bashkëluftëtarë e bashkëpunëtorë të ish-presidentit Thaçi.

Krerët e institucioneve shtetërore dhe liderët politikë të Kosovës i kanë përcjellë familjes Thaçi ngushëllime të ndjera, në të cilat shprehen vlerësime më të larta njerëzore e kombëtare.

(r.m.)