Gjykata Speciale publikon përmbledhjen e aktgjykimit ndaj Salih Mustafës

Hagë, 16 dhjetor 2022 – Sot më 16 dhjetor 2022, Trupi Gjykues I shqiptoi aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Salih Mustafës. Aktgjykimi shënon një moment të rëndësishëm për Dhomat e Specializuara të Kosovës (“DHSK”), duke qenë se është aktgjykimi i parë i kësaj gjykate në një çështje për krime të luftës.

Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 26 vjet burgim. Për arsye ligjore, Trupi Gjykues e shpalli z. Mustafa të  pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të z. Mustafa dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme të viktimave. Duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”.

Krimet për të cilat z. Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte z. Mustafa.

Në aktgjykim, Trupi Gjykues konstatoi se gjatë konfliktit midis UÇK-së dhe forcave serbe, z. Mustafa ishte komandanti i vetëm dhe i përgjithshëm i njësitit gueril BIA të UÇK-së deri në shpërndarjen e tij; se ai kishte nën komandë kompleksin në Zllash gjatë periudhës kur ndodhën krimet e pretenduara; dhe se kishte kompetencë për emërime në njësitin gueril BIA, për t’u dhënë urdhra vartësve të vet dhe për t’i disiplinuar.

Në lidhje me krimin e ndalimit arbitrar, Trupi Gjykues konstatoi se të paktën gjashtë persona u arrestuan nga anëtarë të BIA-s ose anëtarë të tjerë të UÇK-së dhe atyre iu hoq liria në kompleksin në Zllash pa iu treguar arsye, e pa iu dhënë mundësi të kundërshtonin ligjshmërinë e mbajtjes në ndalim. Provat vërtetuan se z. Mustafa ishte i pranishëm disa herë në kompleksin e ndalimit në Zllash dhe i urdhëroi vartësit t’i kthenin të ndaluarit në vendin ku mbaheshin në ndalim. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa e dinte për mbajtjen e tyre në ndalim dhe kushtet e ndalimit.

Në lidhje me krimin e torturës, gjykatësit theksuan se të ndaluarit u akuzuan se ishin spiunë, bashkëpunëtorë të serbëve, tradhtarë, hajdutë, ose gënjeshtarë dhe u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese, pa ujë, ushqim dhe ndihmë mjekësore të mjaftueshme; nuk u lejohej larja e pastrimi ose ndërrimi i teshave, dhe as përdorimi i objekteve sanitare. Z. Mustafa dhe vartësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha të ndaluarve, me synimin e marrjes së informatave ose deklaratave pranuese, duke i ndëshkuar, frikësuar, shtrënguar dhe/ose diskriminuar për arsye politike.

Trupi Gjykues theksoi se “keqtrajtimi fizik dhe psikologjik, bashkë me kushtet çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit, u shkaktuan të ndaluarve lëndime të përhershme fizike dhe psikologjike”.

Në lidhje me krimin e vrasjes së paligjshme, Trupi Gjykues konstatoi se viktima e vrasjes së paligjshme ishte pothuajse i vdekur kur si pasojë e ofensivës serbe në prill 1999, njësiti gueril BIA i liroi të burgosurit, me përjashtim të dy më të rrahurve egërsisht. Trupi Gjykues konstatoi si shkak të vdekjes keqtrajtimin e rëndë të shkaktuar nga anëtarët e njësitit gueril BIA gjatë një periudhe prej pothuajse tri javësh dhe mungesën e ndihmës mjekësore për viktimën, si dhe disa  plagë të shkaktuara nga armë zjarri, të pranishme në kufomën e viktimës.

Në lidhje me përgjegjësinë penale të z. Mustafa, Trupi Gjykues konstatoi se vetë z. Mustafa mori në pyetje dhe keqtrajtoi dy nga të ndaluarit, në raste të ndryshme, si dhe njërin prej tyre bëri sikur do ta ekzekutonte. Në lidhje me pretendimet e tjera faktike mbi të cilat bazohen akuzat për krimet, Trupi Gjykues konstatoi se z. Mustafa është penalisht përgjegjës përmes kontributit personal si pjesëmarrës i ndërmarrjes kriminale të përbashkët.

Në përcaktimin e dënimit të z. Mustafa, Trupi Gjykues mori parasysh peshën  e krimeve dhe kontributin personal të z. Mustafa në  krimet. Egërsia e veçantë e torturave, pozita eprore e z. Mustafa si dhe përfshirja e drejtpërdrejtë personale e tij në këtë krim u vlerësuan nga Trupi Gjykues si faktorë rëndues.

Kur shqiptoi vendimin e gjykimit Trupi Gjykues theksoi guximin e jashtëzakonshëm të dëshmitarëve dhe viktimave që dhanë dëshmi me gjithë etiketimin e tyre në Kosovë si “tradhtarë” apo “bashkëpunëtorë” dhe kërcënimet e frikësimin për bashkëpunimin e tyre me Dhomat e Specializuara ose Prokurorin e Specializuar. Trupi Gjykues shpjegoi se atmosfera e frikës dhe frikësimit është arsyeja pse gjykatësit urdhëruan masa mbrojtëse për shumë dëshmitarë dhe viktima në këtë çështje gjyqësore dhe theksoi se ajo ishte gjithashtu një nga arsyet për krijimin e kësaj gjykate dhe vendosjen e saj në Hagë.

Gjatë gjykimit, Trupi Gjykues dëgjoi 28 dëshmitarë – 13 të thirrur nga Prokurori i Specializuar dhe 15 të thirrur nga Mbrojtja. Trupi Gjykues gjithashtu shqyrtoi deklarata me shkrim, prova shkresore dhe aktekspertiza.

Tetë viktima morën pjesë në proces dhe të gjithë ishin nën masa mbrojtëse.

Së fundi, Trupi Gjykues njoftoi se më pas do të lëshojë një urdhër për zhdëmtim dhe se ruan juridiksionin e nevojshëm në lidhje me këtë.

Përmbledhje e akgjykimit

(DHSK)