Gjykata Supreme e rikthen në PZAP çështjen e zgjedhjeve për kryetar të Hanin e Elezit

Prishtinë, 25 tetor 2021 – Gjykata Supreme e Kosovës e anuloi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për rivotim për kryetar të komunës së Hanit të Elezit.

Javën e kaluar, PZAP-i e miratoi ankesën e kryetarit të deritashëm, Rufki Suma, dhe vendosi që kjo komunë të shkojë në rivotim.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar, Mehmet Ballazhi, i cili i fitoi zgjedhjet, u ankua në Gjykatën Supreme, e cila vendosi që çështja t’i kthet PZAP-it për rivendosje.

“Kolegji i Gjykatës Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e kandidatit për kryetar të komunës së Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, nga Partia Demokratike e Kosovës, dhe e ka anuluar vendimin e PZAP-së, duke e kthyer çështjen në rivendosje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.

Zgjedhjet lokale në Kosovë u mbajtën të dielën, më 17 tetor.

Rufki Suma, kandidat i pavarur, ka qenë kryetar i Hanit të Elezit për 14 vjet.

(r.m.)