Prishtinë, 28 shkurt 2025 – Gjykata Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër që e obligon kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Më 19 shkurt, Gjykata Themelore konfirmoi se Prokuroria Speciale i ka kërkuar asaj që ta urdhërojë kryeministrin Kurti të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Në Kodin e Procedurës Penale thuhet se një gjyqtar, sipas detyrës zyrtare, apo me kërkesë të Prokurorit të Shtetit, mund ta detyrojë një dëshmitar që të paraqitet.
Nëse pas urdhrit gjyqësor, i ftuari nuk paraqitet në Prokurori, gjyqtari e dënon atë me gjobë prej 250 eurosh, sa herë që ai refuzon. Por, nëse ka refuzim edhe pas shqiptimit të gjobave, ai mund të burgoset, por jo më shumë se një muaj.
“Burgimi zgjat derisa dëshmitari nuk pranon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura të përfundojë, por jo më shumë se një muaj”, thuhet në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.
Para se Gjykata Themelore në Prishtinë të lëshonte urdhrin që Kurti të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës më 4 mars, Zyra e Kryeministrit, përmes një letre drejtuar kësaj gjykate ka kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që dëshminë e kryeministrit Kurti ta marrë brenda zyrës së tij në Qeveri.
Në letër thuhet se Kryeministri Kurti nuk i ka refuzuar kërkesat për të dhënë dëshmi, por ka kërkuar që dëshminë ta japë në ambientet e Qeverisë.
“Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në letër.
Zyra e Kryeministrit thotë se ekzistojnë praktika kur zyrtarë të lartë janë intervistuar në ambientet e tyre të punës dhe kjo mund të përsëritet.
Në letrën drejtuar gjykatës, ajo thotë se ka dyshime që thirrja e Kryeministrit Kurti në prokurori është e motivuar politikisht.
“Ka dyshime të forta që kjo thirrje nga Prokuroria nuk ka motiv ligjor, por politik. Prokuroria për vite me radhë ka dështuar në ndjekjen e rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe në vend të adresimit të këtyre problemeve, po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër Kryeministrit. Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, thuhet në letër.
Për këtë arsye, gjykatës iu kërkua të shqyrtojë çdo detaj lidhur me ftesën e prokurorisë.
(r.m.)