Nju Jork, 4 nëntor 2022 – Një gjykatës në Manhattan tha të enjten se do të emërojë një monitorues të pavarur “për t’u siguruar se nuk do të ketë mashtrim të mëtejshëm” në kompaninë e ish-Presidentit Donald Trump, duke i kufizuar kështu aftësinë për të bërë lirisht marrëveshje biznesi, për të shitur asete dhe për të ndryshuar strukturën.
Gjykatësi Arthur Engoron vendosi për caktimin e një mbikëqyrësi të jashtëm, ndërsa po shqyrton një padi në të cilën prokurorja e përgjithshme e Nju Jorkut thotë se ish-Presidenti Trump dhe Organizata Trump kanë mashtruar bankat dhe të tjerët në lidhje me vlerën e aseteve, përfshirë fushat e golfit dhe hotelet që mbajnë emrin e tij.
Prokurorja e Përgjithshme e Nju Jorkut, Letitia James thotë se kompania po vazhdon të angazhohet në mashtrim dhe ka ndërmarrë hapa për t’iu shmangur pasojave të mundshme nga padia e saj, të tilla si krijimi i një entiteti të ri, me emër të ngjashëm – Trump Organization LLC – në shtator, pak përpara se të ngrihej padia.
Gjykatësi Engoron shkruajti në një urdhër prej 11 faqesh se ish-Presidenti Trump dhe Organizata Trump “shfaqën prirje për t’u përfshirë në mashtrime të vazhdueshme” financiare dhe se caktimi i një monitoruesi të jashtëm “është mekanizmi më i kujdesshëm dhe më i përshtatshëm për t’u siguruar se nuk ka mashtrim apo paligjshmëri të mëtejshme” deri në marrjen e një vendimi për padinë.
Mesazhe ku kërkohet koment iu dërguan avokatëve të ish-Presidentit Trump dhe Organizatës Trump. Avokatët e zotit Trump kundërshtuan ashpër caktimin e një monitoruesi, sipas faqes së lajmeve Politico.
Prokurorja demokrate e Nju Jorkut po kërkon gjobitjen me 250 milionë dollarë dhe një masë ndalimi të përhershëm për zotin Trump, një ish-president republikan, që të bëjë biznes në këtë shtet.
Gjykatësi Engoron, duke rënë dakord për të caktuar një monitorues, i ndaloi Organizatës Trump shitjen ose transferimin e çdo aseti pa i dhënë gjykatës dhe zyrës së zonjës James 14 ditë njoftim paraprak.
Monitoruesi do të ngarkohet me detyrën që të sigurohet se kompania do të zbatojë urdhërin dhe do të raportojë menjëherë çdo shkelje në gjykatë dhe tek avokatët e të dyja palëve.
Organizata Trump duhet gjithashtu t’i japë monitoruesit qasje në pasqyrat e saj financiare, vlerësimet e aseteve dhe informacione të tjera, duhet të ofrojë një përshkrim të plotë dhe të saktë të strukturës së kompanisë dhe duhet t’i japë monitoruesit të paktën 30 ditë njoftim për çdo ristrukturim, rifinancim ose shitje të mundshme, tha Gjykatësi Engoron.
(Zëri i Amerikës)