Gjykimi kundër Thaçit e të tjerëve: Dëshmitari rrëfen për të afërmin e tij, të zhdukur pasi ishte marrë nga UÇK-ja

Hagë, 4 shtator 2023 – Në Gjykatën Speciale në Hagë ka vazhduar dëgjimi i dëshmitarëve të njëzetë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në seancën e të hënës ka nisur dëgjimi i dëshmitarit të 20-të (me kodin 04368). Ai iu përgjigj pyetjeve të prokurorisë lidhur me marrjen e një të afërmi të tij nga disa pjesëtarë të UÇK-së, në vitin1998, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë që prej asaj dite.

Fillimisht përfaqësuesi i prokurorisë lexoi një përmbledhje e dëshmisë së tij. Sipas përmbledhjes së lexuar, më 1998, disa pjesëtarë të armatosur të UÇK-së kishin shkuar në shtëpinë e familjes së dëshmitarit (04368) dhe e kishin marrë të afërm të tij për, siç kishin thënë, “për ta marrë në pyetje”. Dëshmitari 04368 dhe familjarë e të afërm të tjerë kishin shkuar në shtabin lokal të UÇK-së ku kishin kërkuar informata për të afërmin e tyre, por nuk kishin marrë asnjë informacion, ndërsa për të afërmin e tyre nuk dijnë asgjë as sot e kësaj dite.

“Në vitin 1998, disa anëtarë të armatosur të UÇK-së, erdhën në shtëpinë e familjes së ‘4368’ dhe e morën njërin prej të afërmeve te tij për ta marrë në pyetje. ‘4368’ dhe personat e tjerë shkuan vazhdimisht në shtabin lokal të UÇK-së dhe çdo herë u kërkuan zyrtarëve të UÇK-së informacion rreth të afërmit të tyre, por asnjëherë nuk morën asnjë informacion. Atë ditë e sot ‘4368’ dhe familja e tij nuk e kanë parë më të afërmin e tyre dhe eshtrat e të afërmit nuk janë gjetur asnjëherë”, ka thënë përfaqësuesja e prokurorisë.

Ajo tha se, në seancën përgatitore, dëshmitari ‘4368’ ka thënë se familja e tij ishte mbështetëse e Ibrahim Rugovës, por e përkrahte edhe UÇK-në.

Në përgjigje të pyetjeve të prokurorisë, dëshmitari pohoi se ai kishte dhënë dëshmi lidhur me këtë rast në vitin 2000 dhe në shtator të vitit 2019, para hetuesve të ZPS-së. Ai pranoin se në seancën përgatitore me ZPS-në i ka bërë disa sqarime, të cilat janë përshkruar në mënyrë të saktë dhe të qartë në shënimin zyrtar të ZPS-së. Prandaj, deklaratat e mëparshme dhe provat materiale shoqëruese janë pranuar si prova nga ZPS.

Dëshmitari u pyet se a ishte mbështetës i UÇK-së i afërmi i tij, se si i kishte trajtuar ai njerëzit e fshatit, duke qenë se i afërmi i zhdukur ishte person me ndikim dhe shembulli i tij do të ishte shembull edhe për të tjerët në fshat. Përgjigja e dëshmitarit në këtë pyetje u redaktua në ublikimin e dëshmisë.

Ai u përgjigj negativisht në pyetjen nëse familja ka marrë ndonjë përgjigje nga UÇK-ja për të afërmin e saj, numër 1.

“Jo, s’kemi marrë. Kurrë s’kemi marrë informatë prej UÇK-së dhe ende nuk dijmë asgjë. Ende asgjë nuk kemi kuptuar’’, tha ai.

Gjykata e redaktoi edhe përgjigjen e dëshmiatarit në pyetjen lidhur me bisedën që kishte pasur me një ushtar të UÇK-së, i cili i kishte thënë: ‘‘I afërmi juaj (numër 1) ishte i pastër’’.

Dëshmitari ‘4368’ u pyet nëse i njeh bashkëfshatarët e tij që kanë qënë pjesëtarë të UÇK-së dhe ai u përgjigj pozitivisht.

“Po, personat e fshatit tim i njoh’’, tha ai.

Dëshmitari u përgjigj pozivisht edhe në pyetjen nëse një person me emrin Ramush Krasniqi kishte qenë shok klase me njërin nga vëllezërit e tij. Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar kërkoi seancë private, me arsyetim se gjatë përgjigjes mund të dalin emra dhe se ekziston rreziku i identifikimit të dëshmitarit të mbrojtur.

Seanca vazhdoi me pyetjet e mbrojtësve të të akuzuarve. Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, e pyeti dëshmtarin nëse ai apo familjarët tjerë kishin kërkuar informacion për të afërmin e tyre nga përfaqësuesi politik i UÇK-së, Adem Demaçi. Dëshmitari tha se Demaçi nuk kishte pranuar të takohej me të.

‘‘Demaçi nuk na ka pranuar sepse e dinte situatën si është puna, prandaj nuk na ka pranuar’’, u përgjigj dëshmitari.

Dëshmitarit iu bënë pyetje të ndryshme nga avokatët e të akuzuarve, por pothuuajse të gjiitha përgjigjet e tij u dhanë në seanca të mbyllura përpublikun.

(r.m.)