Uashington, 28 gusht 2023 – Gjykatësja federale e çështjes kundër ish-presidentit Donald Trump në Uashington vendosi 4 marsin 2024 si datën e gjyqit ndaj tij mbi akuzat se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020.
Vendimi i gjykatëses Tanya Chutkan do të thotë se zotit Trump ka të ngjarë t’i duhet të dalë në gjyq në të paktën tre çështje të veçanta penale, ndërsa bën fushatë për të siguruar emërimin e partisë republikane si kandidat.
Gjykatësja tha të hënën se zotit Trump do t’i duhet të balancojë procesin gjyqësor me fushatën presidenciale.
Ajo tha se si data 2 janar 2024 e propozuar nga Prokurori i posaçëm Jack Smith për fillimin e gjyqit, ashtu edhe prilli 2026 që kanë propozuar avokatët e zotit Trump, janë të papranueshme.
“Data e propozuar nga mbrojtja e prillit 2026 është shumë përtej asaj që është e nevojshme”, tha ajo.
Gjyqi i zotit Trump do të fillojë një ditë përpara të ashtuquajturës Super e Marta, kur mbi 12 shtete në SHBA, mbajnë garat për emërimin presidencial.
Ai pritet gjithashtu të dalë në gjyq në Nju Jork më 25 mars për akuzat në këtë shtet të lidhura me një pagesë në këmbim të heshtjes për një aktore filmash pornografikë.
Një gjyq i tretë është caktuar për më 20 maj 2024 mbi akuzat federale në Florida, sipas së cilave zoti Trump mori në mënyrë të paligjshme të dhëna të klasifikuara pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe u përpoq të pengonte drejtësinë.
Data e gjykimit për çështjen e katërt penale në Xhorxhia nuk është caktuar ende. Prokurorja e Qarkut Fulton, Fani Willis kishte kërkuar që gjyqi atje të fillonte më 4 mars, por vendimi i gjykatëses Chutkan do të thotë se kjo datë ka të ngjarë të ndryshojë.
Zoti Trump nuk mori pjesë në seancën e së hënës. Ai i ka cilësuar të katër ndjekjet penale si përpjekje të motivuara politikisht.
(Zëri i Amerikës)