Gjyqi ndaj Millorad Dodikut do të fillojë më 16 tetor

Sarajevë, 10 tetor 2023 – Fillimi i gjyqit ndaj presidentit të entitetit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, është caktuar për të hënën e 16 tetorit, njoftoi të martën Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës (BiH).

Në gusht, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ngriti aktakuzë kundër Dodikut dhe kundër drejtorit të gazetës zyrtare të Republikës Sërpska, Millosh Lukiq, për moszbatimin e vendimeve të përfaqësuesit të lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt.

Aktakuza ndaj tyre u ndryshua dhe u konfirmua pastaj më 11 shtator.

Avokatët e Dodikut dhe Lukiqit në kundërshtimet e tyre deklaruan se “vepra penale për të cilën akuzohet Dodiku nuk ekziston, sepse Schmidt është i paligjshëm”.

Më 9 tetor, Gjykata e BiH konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se i ka hedhur poshtë si të pabaza kundërshtimet e mbrojtjes.

Mbrojtjes iu refuzuan dy kërkesa për përjashtimin e gjyqtares Jasmine Dedoviq Qosiq, e cila ka konfirmuar aktakuzën dhe më pas ka refuzuar kundërshtimet.

Në qershor, Asambleja Kombëtare e Republikës Sërpska miratoi ligje në lidhje me mospublikimin e vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë dhe moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Përfaqësuesi i Lartë Schmidt më pas vendosi t’i shfuqizojë ato.

Dodik nënshkroi dekretin për hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve dhe Lukiq i publikoi ato në Gazetën Zyrtare të Republikën Sërpska.

Kur e shfuqizoi ligjin e Republikës Sërpska, Schmidti vendosi ndryshime në Kodin Penal të Bosnjë dhe Hercegovinës, sipas të cilit mosrespektimi i vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë është vepër penale.

(REL)