Është emëruar drejtori i ri i Policisë së Shtetit, pas dorëheqjes së Ardi Veliut, një ditë më parë, përmes një letre drejtuar kryeministrit Edi Rama, ku theksonte se do të largohej nga detyra për t’iu përkushtuar më shumë familjes.
“BalkanWeb” raportoi se Ardi Veliu është zëvendësuar zyrtarisht nga Gledis Nano, i cili ka 20 vite eksperiencë në Policinë e Shtetit.
Së fundi, Gledis Nano ka mbajtur detyrën e drejtorit të Antiterrorit në Policinë e Shtetit.
Gledis Nano vjen nga një karrierë gati 20-vjeçare në Policinë e Shtetit, ku 5 vitet e fundit i ka pasur në krye të Antiterrorit, ku ka bashkëpunuar ngushtë me partnerët ndërkombëtarë dhe ka udhëhequr operacione të vështira, siç ishte riatdhesimi i qytetarëve shqiptarë nga kampi i ferrit në Siri “Al-Hol”, zbulimi i një celule terroriste që planifikonte sulme në Tiranë, dëbimi i diplomatëve iranianë, etj.
Veç trajnimeve të ndryshme ndërkombëtare nga agjenci të njohura në fushën e sigurisë, Gledis Nano në vitin 2017 u diplomua në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia.
Nano e ka nisur karrierën e tij në Policinë e Korçës, më pas ka drejtuar sektorin e Krimeve në Policinë e Vlorës, e më pas është emëruar në Tiranë. Në vitit 2013, ai u mor me hetimin e dosjes së “Imamëve”.
Gjatë viteve të karrierës, Gledis Nano është vlerësuar herë pas here nga Policia e Shtetit dhe së fundmi në gusht të këtij viti u vlerësua dhe nga ambasada amerikane me certifikate vlerësimi.
Gledis Nano mbante gradën “drejtues i parë” dhe pas emërimit në krye të Policisë së Shtetit mori gradën “drejtues madhor”.