Prishtinë, 28 shkurt 2023 – Politologu Ognjen Gogiq nga Mitrovica e Veriut mendon se marrëveshja për të cilën janë pajtuar kryeministri i kosovës, Albin Kurti, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të hënën në Bruksel, është e paqartë.
Ai ka thënë se në këtë marrëveshje reflektohet, siç është shprehur, “qasja e njohur e BE-së për dykuptimësi konstruktive në formulimin e dokumenteve”. Sipas tij, kjo lë hapësirë që palët ta interpretojnë dokumentin ashtu siç u konvenon atyre, gjë që krijon situatë të paqartë.
“Asnjëra palë nuk është e kënaqur tërësisht me atë çfarë nënkuptohet. Kështu që ato janë konsistente dhe mendojnë se, në parim, propozimi është i pranueshëm, por se është e nevojshme që disa gjëra të tjera në kuadër të tij, të definohen. Në ato pozicione edhe kanë mbetur”, ka thënë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, marrëveshja shënon një hap prapa në procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
“Është e paqartë se çfarë pritjesh ka cilado palë nga kjo marrëveshje dhe si mendojnë ato se duhet të duket që të pranohet. Borrelli tha se ata e kanë pranuar propozimin, por nuk e kanë nënshkruar. Në çfarë mënyre reflekton ky pajtim? E gjithë kjo tregon, sipas mendimit tim, se është bërë një hap prapa”, ka thënë Gogiq.
Sipas tij, marrëveshja si e tillë synon ngrirjen e “status quo-së”.
“Marrëveshja synon që të sigurojë një qetësim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë dhe një lloj ‘status quo-je’ që do të parandalonte ndonjë përshkallëzim të tensioneve në Ballkanin Perëndimor, në kohën kur vëmendja e Perëndimit është fokusuar te pushtimi rus i Ukrainës”, është shprehur ai.
“Kjo, në fakt, nënkupton ngrirjen e status quo-së. Bashkimi Evropian dëshiron që me këtë ta qetësojë situatën. Kështu që, për mua, kjo marrëveshje e re është vetëm një qilim nën të cilin synohet të futen problemet që ekzistojnë në terren. Më duket se Bashkimi Evropian dëshiron që me çdo kusht t’i marrë nënshkrimet e Vuçiqit dhe Kurtit për një dokument të cilin do ta shpallë si sukses në politikën e jashtme”, ka thënë Gogiq.
(r.m.)