Goodbye Kosova, hello Bosnia!

Vuçiqi përdor shpesh Kosovën për të tërhequr vëmendjen nga protestat që nuk po ndalen; tani lidhja me familjen Trump dhe kriza në Bosnje mund të shërbejnë për këtë punë

Nga Ruben Avxhiu

 

Urdhëri për arrestimin e udhëheqësit nacionalist serb të Bosnjes, Milorad Dodik e ka futur vendin në një moment prove.

Dodik, ka dështuar në qeverisjen e Republikës Srpska duke i lënë serbët e Bosnjes në batakun e një ekonomie të plogësht e plot probleme sociale, ndërkohë që vetë është pasuruar bashkë me familjarë e aleatë politikë. Por e ka gjetur zgjidhjen. Luan rolin e patriotit të madh që po përballet me ndërkombëtarët dhe pjesën tjetër të Bosnjes duke mbrojtur serbët dhe republikën e tyre. Kushdo që e kundërshton rrezikon të shpallet tradhëtar i kombit dhe serbët që nuk ikin dot nga republika e tyre e mrekullueshme e pranojnë diktatin e nacionalistëve në heshtje.

Serbët nuk e meritonin një republikë më vete brenda Bosnjes së pavarur, por tani edhe ajo nuk u mjafton. Duan të shkëputen tërësisht, duke nisur nga sistemi juridik. Në fakt, ky i fundit mund të jetë synimi i vërtetë, jo shkëputja politike. Dodik ka hall të mbrojë perandorinë e tij ekonomike dhe ndërkohë që gjykatat brenda Republikës Srpska nuk guxojnë t’i bëjnë gjë, ato në nivelin e federatës po ia mbledhin litarin.

Në këto kushte, ka nxituar të shkëpusë lidhjet institucionale të drejtësisë duke mos i njohur më ato të Bosnjes. Por kjo është njëkohësisht një shkelje e Kushtetutës dhe ka sjellë urdhërin për arrestimin e tij.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është shumë i revoltuar që po rrezikohet qendrueshmëria e rajonit, me këto urdhëra arresti. Në mendjen e tij Dodik është një ëngjëll dhe nuk ka qenë aspak duke e rrezikuar rajonin me sjelljen e tij.

Në fakt, Vuçiq është shumë i lumtur për rrëmujën e fundit të Dodikut. I mbërthyr nga protesta mbarëkombëtare që ia rrezikojnë pushtetin, mezi pret që vëmendja të dalë diku në rajon, ku ai të ketë mundësi të dëshmojë veten si shpëtimtari i madh i serbëve kudo që jetojnë.

Pas takimit të djeshëm, me djalin e Presidentit Trump, me të cilin u përpoq t’ua mbushte mendjen serbëve se ndryshime historike po vijnë për Serbinë në epokën e re, kështu që duhet ta lënë të qeverisë edhe pak, në vend që të bëjnë këto protesta të kota, po i vjen në dorë edhe “zogu” nga Bosnja.

E gjithë puna është që populli serb ta shohë që ndërsa ai po bën punët e mëdha, këta protestuesit po merren me incidente të vogla. Nëse duhet një zjarr i madh në Bosnje për të tërhequr vëmendjen le të ndizet.

Mbase të paktën me Dodikun e dalë nga binarët që po shan e kërcënon trupat ndërkombëtare, versionin boshnjak të KFOR-it e i vetmi që ka kapacitetin për ta arrestuar, si dhe po kërcënon se do t’i thotë Rusisë të vënë veton kundër paqeruajtësve, Vuçiqi mund të mos ketë nevojë për ca kohë që të krijojë trazira në Kosovë.

Comment

*