Prishtinë, 12 dhjetor 2022 – Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – kërkoi lirimin e, siç tha, serbëve të arrestuar “padrejtësisht” në veri të Kosovës.
Arrestimi i një ish-polici serb të shtunën u bë edhe shkas i barrikadave që ngritën disa qytetarë serbë në pjesën veriore të Kosovës, përkatësisht në rrugët që çojnë drejt vendkalimeve kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Duke folur nga barrikadat në fshatin Rudarë, Komuna e Zveçanit, Rakiq tha se populli serb “do paqe”.
“Ne kërkojmë që qytetarët tanë të arrestuar padrejtësisht, të lirohen, dhe që [kryeministri i Kosovës] Albin Kurti t’i tërheqë njësitet që i dërgoi në veri, të ndalojë keqtrajtimin e fëmijëve tanë dhe të ndalojë ndjekjen e serbëve”, tha Rakiq, duke mos sjellë asnjë provë për këto pretendime.
Një ditë më herët, ai po ashtu tha se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po përgatit dërgimin e forcave të tij speciale “për të përndjekur” serbë nga pjesa veriore e vendit.
Këto pretendime u hodhën poshtë nga zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
“Absolutisht e pavërtetë”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Policia e Kosovës ka shtuar prezencën e saj në veri, pas disa incidenteve të armatosura që janë shënuar që nga 6 dhjetori. Shtimi i forcave policore është thënë se po bëhet për të garantuar sigurinë e banorëve, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Teksa barrikadat janë ngritur në veri, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se më 15 dhjetor do t’i drejtohet misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, me kërkesën për dërgimin e deri në 1.000 forcave të sigurisë në Kosovë. Ai ka thënë se këtë kërkesë do ta bëjë në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Zyrtarët në Kosovë kanë thënë se këto paralajmërime janë “kërcënim me agresion” nga Serbia, teksa ekspertët i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se as Rezoluta 1244 dhe dokumentet e tjera, nuk lejojnë që Serbia të dërgojë trupa në Kosovë.
(REL)