Grafiti kërcënues “Kur ushtria (serbe) të kthehet në Kosovë” edhe në Mitrovicën Veriore

Prishtinë, 11 shtator 2023 – Grafiti kërcënues për Kosovën “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” është shkruar në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicën Veriore.

Grafiti, i shkruar me shkronja cirilike me ngjyrë të verdhë me ngjyrat e flamurit të Serbisë në sfond, shpreh aspiratën për kthimin e ushtrisë së Serbisë në Kosovë.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë autoritetet e rendit janë informuar për këtë grafit përmes rrjeteve sociale. Ai ka thënë se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin lidhur me këtë rast.

Më 31 gusht, grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” ishte shkruar edhe në një mur anësor të rrugës në komunën e Zubin Potokut, në pjesën veriore të Kosovës.

Grafiti “Kur ushtria të kthehet në Kosovë” më së pari ishte shkruar në Beograd, në Novi Sad dhe në disa qytete të tjera të Serbisë, e pastaj edhe në Banja Llukë, në Republikën Sërpska të Bosnjës e Hercegovinës.

Në shkurt të këtij viti, aktivistët e organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejta të Njeriut dhe Asociacioni ‘Krokodili’, e mbuluan me ngjyrë të kuqe këtë grafit që ishte shkruar në Sheshin Slavija të Beogradit. Mirëpo, ai është shkruar përsëri në po atë vend, si edhe në disa vende tjera në Beograd.

Përmbajtja e këtij grafiti buron nga një varg i një kënge popullore të kënduar nga mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe Amfilohije dhe nga peshkopi Atanasije. Ajo u shpreh publikisht së pari në brohoritjet dhe thirrjet luftënxitëse e kërcënuese për Kosovën dhe për shqiptarët të tifozëve të klubit futbollistik “Crvena Zvezda” të Beogradit, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian “Fiorentina”, më 26 korrik, në Beograd.

(r.m.)