Futbollisti me origjinë nga Kosova Granit Xhaka është nominuar për çmimin prestigjioz individual “Topi i Artë”. Xhaka me ekipin e tij Bayer Leverkusen patin një sezon të shkëlqyer. E fitoi titullin e kampionit në Bundesligën gjermane, pa asnjë humbje, e fitoi Kupën e Gjermanisë dhe arriti deri në finale të Ligës së Evropës.
Xhaka pati një paraqitje të shkëlqyeshme edhe me Zvicrën në Kampionatin Evropian të futbollit “Euro 2024”, në Gjermani. Zvicra arriti deri në çerekfinale të garës, kurse Xhaka ishte ndër lojtarët më të vlerësuar të kampionatit.
Si në ekipin e Bayer Leverkusenit ashtu edhe në ekipin kombëtar të Zvicrës, Xhaka shquhet për organizim të lojës në mesfushë dhe për saktësi të lartë të pasimeve, përfshirë pasimet kyçe në fazën e sulmit të ekipeve të tij. Në disa ndeshje të kampionatit gjerman, të Ligës së Evropës dhe të Kampionatit Evropian, ai shënoi disa gola shumë të rëndësishëm.
Tani ai vlerësohet në mesin e futbollistëve më të mirë të botës, përkrah emrave të mëdhenj, si: Vinicius Junior, Jude Bellingham, Rodri e të tjerë.
Vinicius Junior e Jude Bellingham, lojtarë të Realit të Madridit, janë fitues të Ligës së Kampionëve dhe të kampionatin spanjol. Bellingham arriti edhe deri në finale të Evropianit 2024, me Anglinë. Rodri doli kampion i Anglisë me ekipin e tij, Manchester Cityn, dhe Kampion i Evropës me ekipin e Spanjës në Euro 2024.
Në garën për Topin e Artë Xhaka do të matet me 29 futbollistët më të vlerësuar të vitit në rruzullin tokësor. Ky është sukses i madh i tij, pavarësisht se njohësit e futbollit nuk e kanë përfshirë në mesin e kandidatëve favoritë.
Ceremonia e ndarjes do të mbahet në Paris më 28 tetor.
Lista e ngushtë për çmimin “Topi i Artë”:
Jude Bellingham – Real Madrid, Angli
Phil Foden – Man City, Angli
Ruben Dias – Man City, Portugali
Federico Valverde – Real Madrid, Uruguaj
Emiliano Martinez – Aston Villa, Argjentinë
Artem Dovbik – Girona (AS Roma), Ukrainë
Erling Haaland – Man City, Norvegji
Nico Williams – Athletic Bilbao, Spanjë
Toni Kroos – Real Madrid, Gjermani
Granit Xhaka – Bayer Leverkusen, Zvicër
Dani Olmo – RB Leipzig (Barcelona), Spanjë
Florian Wirtz – Bayer Leverkusen, Gjermani
Mats Hummels – Dortmund (AS Roma), Gjermani
Martin Odegaard – Arsenal, Norvegji
Vinicius Júnior – Real Madrid, Brazil
Rodri – Manchester City, Spanjë
Declan Rice- Arsenal, Angli
Harry Kane – Bayern Munich, Angli
Cole Palmer – Chelsea, Angli
Vitinha – Porto (PSG), Portugali
Dani Carvajal – Real Madrid, Spanjë
William Saliba – Arsenal, Francë
Lamine Yamal – Barcelona, Spanjë
Bukayo Saka – Arsenal, Angli
Hakan Calhanoglu – Inter, Turqi
Kylian Mbappe – PSG (Real Madrid), Francë
Lautaro Martinez – Inter, Argjentinë
Ademola Lookman – Atalanta, Nigeri
Alejandro Grimaldo – Bayer Leverkusen, Spanjë
Antonio Rudiger – Real Madrid, Gjermani
(r.m.)