Granoff: Në Butrint nuk do të ndërtohet asnjë hotel apo objekt tregtar

Tiranë, 21 maj 2022 – Kryetari i Bordit të Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim, Michael Granoff, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, i ka vlerësuar si të paqëndrueshme kritikat ndaj projektit të këtij fondacioni për menaxhimin e hapësirës së Parkut Arkeologjik të Brutrintit.

”Në anglisht është një shprehje që thotë: ‘Njerëzit kanë të drejtë të kenë opinionet e tyre, por nuk kanë gjithnjë të drejtë për faktet’. Faktet për Butrintin janë shumë të thjeshta. Si fillim, Butrinti është në pronësi dhe kontrollohet nga qeveria dhe populli i Shqipërisë. Asgjë nga këto që e po bëjmë nuk e ndryshon pronësinë dhe kontrollin e Butrintit si dhe objektet e trashëgimnisë kulturore”, ka thënë Granoff.

“Njerëzit flasin shpesh për Butrintin si për një koncension. Koncensionet janë një mundësi për të marrë para, pra për të fituar para, ndërsa ligji për Butrintin është një mundësi nga ne për të dhuruar para. Si rezultat i këtij ligji, ne do të dhurojmë 5 milionë dollarë të tjera. Nuk njoh shumë njerëz të tjerë që përpiqen ta bëjnë këtë. Arsyeja pse na duhej kjo lloj strukture për ta bërë këtë gjë është që ta mbrojmë Butrintin dhe ta mbajmë të pandryshuar.”, ka theksuar ai.

Granoff ka thënë se ky projekt ka objektiv pikërisht mbrojtjen e këtij parku. 

‘Qëllimi i vetëm i ligjit të ri, i cili nuk është një ligj që zbatohet nga fondacioni, por është një ligj i qeverisë shqiptare, është krijimi i një strukture që mund ta mbështesë dhe të mbrojë Butrintin për një kohë të gjatë. (…) Ne duam të bëjmë një strukturë shumë të qartë për të krijuar një mjedis ku mund të investojmë dhe dhurojmë sa më shumë para për Butrintin”, ka shtuar ai.

Granoff ka hedhur poshtë akuzat se në hapësirën e Parkut Arkeologjik të Butrintit do të ndërtohen objekte hoteliere apo afariste.

“Paratë do të shkojnë për të ndërtuar një qendër vizitorësh, për të ndërtuar korsi biçikletash dhe rrugë për hiking, për ta bërë këtë zonë pa ndotje mjedisore. Nuk do të ndërtohen apartamente, hotele apo ndonjë gjë e ngjashme. Dhe e gjitha mbështetet në një bazë jofitimprurëse, që do të thotë se paratë që hyjnë në Butrint mbeten në të”, është shprehur ai.

Granoff ka thënë se Bordi i Fondacionit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim do të kujdeset që projekti të funksionojë në mënyrën e duhur, por bordi menaxhues do të emërohet nga Qeveria e Shqipërisë.

“Ne nuk kemi asnjë rol në emërimin e anëtarëve të bordit. Ne do të ulemi në atë bord që të mbrojmë investimin tonë dhe të përpiqemi që Butrinti të ruhet dhe të mbrohet në mënyrën më të mirë të mundshme. Kjo është një gjë që çdo donator i përgjegjshëm do ta bënte. Pozicioni që ne kemi në çështjen e Butrintit është i njëjtë me ato që kemi në projektet tjera”, ka thënë ai.

Granoff ka thënë se Fondacioni do të investojë në krijimin e barrierave natyrale që do të parandalojnë përmbytjen e Butrintit.

“Një ekspert i arkeologjisë ka bërë një parashikim që në 50 vitet e ardhshme ¼ ose 1/3 e Butrintit do të jetë nën ujë. Pra, gjëja për të cilën ne duhet të shqetësohemi është rritja e nivelit të detit, që e dëmton këtë zonë. Një nga gjërat që ne mendojmë të bëjmë është t’i sjellim këta ekspertë, që të na ndihmojnë për barrierat natyrale, që mund të ndërtojmë, me qëllim që uji të mos ndikojë në këtë zonë në të ardhmen. Ky është një shembull që tregon se me sa detaje po mendojmë për të ardhmen e Butrintit, dhe duam që kjo zonë të mos ketë prodhim karboni, duam të respektojmë mjedisin rreth Butrintit edhe në të ardhmen”, ka thënë Granoff.

(r.m.)