Gratë afgane kundërshtojnë urdhrin për mbulim të tërësishëm

Kabul, 8 maj 2022 – Gratë në Afganistan, të dielën më 8 maj, shprehën kundërshtimin e tyre pasi talibanët nxorën një dekret që i urdhëron ato të mbulohen plotësisht në publik, duke përfshirë fytyrat e tyre.

Udhëheqësi suprem i Afganistanit dhe shefi i talibanëve Hibatullah Akhundzada miratoi urdhrin të shtunën, më 7 maj në një lëvizje që kërcënon të shtyjë liritë drejt sundimit të ashpër të vendosur nga islamistët kur ata mbanin më parë pushtetin midis viteve 1996-2001.

Vendimi për mbulim bie ndesh me premtimet për një sjellje më të butë që iu bë komunitetit ndërkombëtar pasi talibanët morën pushtetin në gusht të vitit të kaluar.

“Unë jam duke u burgosur. Unë nuk mund të jetoj në liri dhe e gjithë jeta ime shoqërore po kontrollohet nga talibanët”, i tha AFP-së aktivistja Tahmina Taham, një ish-punonjëse e qeverisë e cila humbi punën e saj pasi talibanët u kthyen në pushtet vitin e kaluar.

“Harroje të jesh grua, më kanë hequr liritë edhe si qenie njerëzore”, tha ajo.

Dekreti i Akhundzada specifikoi gjithashtu se gratë që punojnë në punët qeveritare që nuk zbatojnë urdhrin “duhet të pushohen nga puna” dhe se punonjësit, gratë dhe vajzat e të cilëve nuk respektojnë, gjithashtu do të pezullohen nga puna.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Afganistan e dënoi nxjerrjen e dekretit dhe tha se ai mund të “tensionojë më tej angazhimin” midis islamistëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

Nuk kishte shenja të menjëhershme të zbatimit të urdhrit të Akhundzada në Kabul të dielën. Shumë gra shiheshin në rrugë pa mbuluar fytyrat e tyre raporton AFP.

(REL)