“Gratë afgane preferojnë të vdesin që të mos jetojnë si skllave”

Kabul, 25 tetor 2021 – Banorët lokalë thonë se protesta që u mbajt në Kabul më 21 tetor tregon rritjen e dëshpërimit të grave afgane, të drejtat e të cilave janë hequr që prej se talibanët, islamistët e linjës së ashpër, morën pushtetin më 15 gusht 2021.

Fotografitë e bëra më 21 tetor nga disa agjenci të lajmeve shfaqin protestën në Kabul që përfundoi në dhunë teksa talibanët ndaluan gratë marshuese dhe sulmuan gazetarët që po e përcillnin këtë ngjarje.

Një gazetare në Kabul, emri i së cilës nuk do të bëhet publik për shkaqe sigurie, thotë për Radion Evropa e Lirë se në protesta e 21 tetorit është shenjë se gratë shumë shpejt po i humbasin mundësitë pasi talibanët ua hoqën liritë.

“Disa familje nuk kanë djem dhe babi i tyre ose është i dobët me shëndet ose kanë humbur bashkëshortët e tyre në sulmet vetëvrasëse me bomba”, shpjegon ajo. “Disa gra kanë mbi supe përgjegjësinë për familjet e tyre”.

Vajzat në shkolla të mesme kanë mbetur pa shkuar në shkollë për më shumë se një muaj dhe shumë gra janë ndaluar që të kthehen në punë që prej se talibanët morën kontrollin e Afganistanit në mesin e muajit gusht.

“Edhe pse ato e dinë që protesta është një rrezik i madh, gratë nuk kanë zgjidhje tjetër”, thotë gazetarja nga Kabuli.

“Sepse ato nuk mund t’i shohin familjet e tyre teksa vuajnë, prandaj mundësia e vetme është që të ndërmarrin veprime edhe nëse kjo nënkupton që talibanët mund t’i eliminojnë ato. Sepse gratë veçse kanë humbur ato që i kanë pasur, siç është puna e qasja në arsim. Tani, ato nuk kanë asgjë tjetër dhe duan që t’i tregojnë botës se nuk do të qëndrojnë të heshtura”.

Marshi i grave u lejua të vazhdojë për rreth 90 minuta para se talibanët të nisnin të sulmonin gazetarët që po e përcillnin këtë ngjarje.

Një tjetër banor lokal i Kabulit, që ndoqi protestën përmes platformave online, thotë për Radion Evropa e Lirë se kur anëtarët e talibanëve sulmuan mediat ata përdorën gjuhë të ashpër, eksplicite teksa ndoqën dhe rrahën gazetarët.

Ai thotë se atmosfera në kryeqytetin afgan është një atmosferë e zymtë që prej se talibanët kanë filluar shtypjen në rrugë, madje duke mos kursyer as fëmijët. Më 22 tetor, sipas tij, talibanët sulmuan tre djem që po luanin lojën mjaft popullore në telefona mobil PlayerUnknown’s Battlegrounds, duke i goditur fëmijët me shuplaka dhe duke ua marrë telefonat. Sipas talibanëve, kjo lojë është “haram” apo e ndaluar sipas Islamit.

Një prej organizatoreve të protestës, Zahra Mohammadi, i tha agjencisë AFP se “mesazhi im për të gjitha gratë dhe vajzat është ky: Mos u frikësoni nga talibanët, edhe nëse familja nuk iu lejon që të dilni nga shtëpia. Mos u frikësoni. Dilni, sakrifikoni, luftoni për të drejtat e juaja”.

“Kësaj radhe, gratë preferojnë të vdesin sesa të jetojnë si sllave apo të burgosura”, thotë për Radion Evropa e Lirë një grua nga Kabuli, duke shtuar se “kur e shoh këtë protestë jam vërtetë e lumtur sepse e shoh që nëse familja ime ka nevojë për ndihmën time, dhe unë jam një grua e re që jam në gjendje t’iu ndihmojë, prandaj unë thjesht nuk do të ulem dhe të shoh babanë tim që është i vjetër teksa vdes apo nënën time të vuaj. Jam e sigurt se do të ngrihem, edhe nëse ata do të më vrasin”.

(REL)