Teheran, 17 korrik 2023 – Pas protestave që tronditën Iranin dhe bënë që një numër i madh i grave t’i heqin shamitë e kokës, patrullat e policisë së “moralit” u rikthyen në rrugë.
Menjëherë pas njoftimit se policia e “moralit” do të rikthehet në rrugë, në qytetin verior të Rashtit shpërthyen përleshje, si pasojë e përpjekjeve për arrestimin e tri grave që nuk mbanin shami.
Një zyrtar iranian konfirmoi më 16 korrik se patrullat e policisë famëkeqe të “moralit”, të njohura zyrtarisht si Patrulla Udhëzuese, janë rikthyer në rrugët e Iranit pas disa muajsh.
Gjatë gjithë trazirave që pasuan vdekjen e Aminit në shtator të vitit 2022 – derisa ajo ishte në paraburgim nga policia e “moralit”, një numër në rritje i grave zgjodhën të mos mbanin hixhabe.
Mungesa e policisë së “moralit” në rrugë gjatë dhe pas protestave masive bëri që disa media perëndimore të raportonin se njësia është shpërbërë.
Shamitë e kokës u bënë të detyrueshme në Iran menjëherë pas Revolucionit Islamik të vitit 1979. Patrullat e e policisë së “moralit” e mbikëqyrin zbatimin e ligjeve për veshjen dhe sjelljen ndërmjet gjinive.
Policia e “moralit” mund të identifikohej më parë nga furgonët me shirit të gjelbër që transportonin njerëzit e arrestuar. Por, pamjet e fundit nga qytetet iraniane tregojnë se policia e “moralit” tani vepron me furgonë të bardhë, pa shenja.
(REL)