Nga Mimoza Dajçi
Shtysë për këtë artikull më dha biseda në New York me një regjisor të ri, i cili më tha se temat mbi diktaturën komuniste në Shqipëri janë rezuaruar, pasi janë realizuar shumë filma, gjë që më la një shije të hidhur….
Romë, nëntor 2018. Po udhëtoja me avion nga SHBA për në Shqipëri. Në aeroportin Fiumicino të Romës, tranzit për në Tiranë. Aeroport që ka fituar Çmimin si më i miri në Europë. Rastësisht takova e fola nga afër me aktorin italian Remo Girone, të famshmin Tano Caridi tek seriali italian “La Piovra”. Do të ishte protagonist në filmin e ri shqiptaro – italian të regjisorit Namik Ajazi “Portreti i pambaruar i Clara Bellinit”. Film i cili tashmë ka fituar disa Çmime të Arta në Gjermani dhe në Itali.
Sipas aktorit Girone, xhirimet e filmit kishin filluar dhe ai së bashku me bashkëshorten Victoria Zinny, prezantohen në rolin e një familje diplomatësh italianë në Shqipëri gjatë periudhës së komunizmit. Regjisori Namik Ajazi, edhe ai i prekur direkt politikisht, së bashku me skenaristin Ruzhdi Pulaha dhe një grup aktorësh shqiptarë e italianë, do të bënin të njohur për publikun një histori të parealizueshme dashurie gjatë viteve të diktaturës. Bëhej fjalë për histori dashurie mes një djali shqiptar dhe vajzës së një diplomati të lartë italian.
Ngjarjet i përkisnin fund viteve ’70, fillim i ’80-ës dhe krahas historisë së dy të rinjve, do të vendoseshin ngjarje të viteve të vështira të kohës së diktaturës komuniste në Shqipëri. Duke iu referuar edhe shtypit shqiptar, për të arritur në këtë histori të dhimbshme, regjisori Ajazi ka punuar për gati tre vite dhe ka bërë kërkime në ish-Arkivën e Ministrisë së Brendshme. Është mbështetur në katër histori të vërteta, njëra prej të cilave i qaset më shumë asaj të filmit. Sipas Ajazit aty nuk mund të flitet për personazhe realë, pasi ka marë copëza nga disa syresh. Po sipas medias shqiptare regjisori Ajazi thotë se: “Nuk dua që askush të identifikohet me personazhet e filmit. Por është një histori e vërtetë që i bën homazh atyre ngjarjeve të dhimbshme, romancave të ngelura përgjysmë, idileve të prera në mes nga ana e regjimit, i cili nuk të falte”.
Është homazh për të gjithë ata njerëz që kanë kaluar nëpër situata të tilla. Disa nuk jetojnë më, disa tashmë janë gjyshër”, thotë Ajazi në një intervistë të tij, teksa shton që përzgjedhja e temave nga e kaluara komuniste vjen si një detyrim karshi një brezi që përjetoi kohëra të vështira, por edhe për t’i treguar brezit të ri se ç’kanë qenë ato vite”.
Dhe sigurisht regjisori Ajazi ka prekur një ngjarje tepër delikate të jetës në diktaturë, pasi gjatë atyre viteve të zymta ka pasur shumë dramë, divorce si në dashurinë e të rinjve ashtu edhe gjatë viteve pasmartesore, ku për shkak “biografie” e luftës së klasave shumë çifte u ndanë duke rritur fëmijët jetim me prindër gjallë.
Përzgjedhja aktorëve përbënte një surprizë më vete. Ajazi kishte sjellë në Tiranë aktorin Remo Girone së bashku me aktoren Victoia Zinny që do të interpretonin prindërit e vajzës.
Beatrice Aiello, një aktore e re italiane në rolin e protagonistes, po ashtu interpreton edhe Marta Gastini. Roli kryesor i ishte besuar të riut shqiptar që jetonte në Firenze, Anton Kodrinaj. Filmi u mbështet nga QKK, Ministria Italiane e Kulturës dhe Eurimages.
Duke dëgjuar nga aktori Girone rreth skenarit të këtij filmi, një nga këto episode më ktheu në kujtesë miken time italiane Jola Tahmizi, që fatkeqësisht nuk jeton më, ish anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Gruas ish të Persekutuar Politike të Shqipërisë, ku edhe unë kam dhënë kontributin tim vite me rradhë edhe pranë kësaj shtrese deri ditën që u largova për në SHBA. E kam njohur nga afër Jolën, i ati kishte qenë Konsull i Italisë në Vlorë. Për shkak të veshjes së saj “moderne” kishte rënë në sy të policisë sekrete shqiptare dhe sigurimi i shtetit e arreston në moshë tepër të re. Sa herë vajza e re me emrin Jola shkonte në Tiranë, luante tenis veshur me një fund të shkurtër të bardhë me pala të vogla dhe bënte shëtitje – xhiro duke mbathur në këmbë patinat rrëshqitëse. Kjo pamje ekstravagante e saj përbënte shqetësim për regjimin e kohës. Shfaqje e huaj, paçka se Jola ishte e huaj, në dhe të huaj. Vetëm për fundin e bardhë e të shkurtër që mbante veshur dhe rrëshqitjen me patina, e arrestojnë dhe e dënojnë për agjitacion – propagandë.
Një rast tjetër që kam njohur nga afër, Maria Dvorani, e cila la studimet e larta në Itali dhe kthehet në atdhe për tu gjendur pranë atdheut gjatë pushtimit fashist. Ndërkohë njihet e martohet me një inxhinier italian, që kish mbetur pas lufte në Shqipëri. Për këto veprime të ndaluara sigurimi i shtetit e arreston dhe e burgosin si armike e popullit. Edhe me Marien jam njohur pranë kësaj Shoqate. Ishin gra inteligjente, poete, shkrimtare, tolerante e tepër humane. Gra heroina që me dinjitet të lartë sfiduan diktaturën më të egër në Europë. Ishin bashkëvuajtëse e mike burgu politike me heroinën Muisne Kokalari, të cilat shpesh më tregonin ngjarje të atyre vuajtjeve të rënda e torturave çnjerëzore që kishin përjetuar nëpër birucat e diktaturës. Jeta dhe vepra e të cilave u përjetësua në lartësi me dimensionin e lirisë.
Një Memorial dedikuar Gruas ish të Burgosur e të Persekutuar Politike të Shqipërisë në qendër të Kryeqytetit të Shqipërisë do të ishte domosdoshmëri, pasi e meritojnë vërtetë.
Duke u kthyer sërisht tek filmi, një Bravo! I takon regjisorit Namik Ajazi dhe skenaristit Ruzhdi Pulaha, të cilët vijojnë të tregojnë me vërtetësi atë periudhë të tmerrshme të jetës që kanë kaluar në komunizëm edhe femrat e huaja.
Falenderoj aktorin e madh italian Remo Girone së bashku me bashkëshorten e tij Victoria Zinny, që ju bashkëngjitën këtij projekti dramatiko – artistik të vendit tonë.