Hagë, 22 maj 2021 – Gregory W. Kehoe do të jetë avokati i ri i ish-presidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Kehoe do ta zëvendësojë avokatin David Hooper, i cili ishte mbrojtës i Thaçit në procedurën e deritashme paragjyqësore.
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë tashmë e kanë vendosur emrin e Kehoes në listën e avokatëve të akredituar të kësaj gjykate.
Emri i tij është përfshirë në listën e 206 avokatëve që kanë të drejtë të përfaqësojnë palët në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka paraqitur kërkesë përpara gjyqtarit të Procedurës Paraprake për të zëvëndësuar avokatin mbrotjës. Thaçi në vend të David Hooper e ka kërkuar avokatin Gregory W. Kehoe
Kërkesa drejt gjyqtarit të procedurës paraprake nga Thaçi ishte dërguar më 18 maj, derisa në të njejtën ditë Hooper kishte kërkuar që të aprovohet largimi i tij nga pozita e avokatit kryesor të Hashim Thaçit.
Kehoe ka konfirmuar se atij i është kërkuar një shërbim i tillë dhe se ai do ta pranojë të zëvendësojë Hooperin.
“Z. Kehoe konfirmoi për Zyrën e Mbrojtjes se ai ishte thirrur me një kërkesë për të përfaqësuar Z. Thaҫi dhe se ai do të pranonte emërimin. Z. Kehoe pranohet në Listën e Këshilltarit Specialist në përputhje me Seksionin 7 të Direktivës për Avokatin”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Gregory Kehoe është avokat me mbi 30 vjet përvojë. Ai ka mbrojtur individë, korporata dhe institucione financiare në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.
Kehoe ka qenë avokat i gjeneralit kroat Ante Gotovina në Tribunalin Special për Ish-Jugosllavinë, në vitin 2007, ku u shpall i pafajshëm.
(r.m.)