GREKOMANIZMI I PARISË SË VOSKOPOJËS

(Me rastin e përurimit të shtatores se Sali Butkës në Ersekë)

Nga Thanas L. Gjika

Përurimi i shtatores së atdhetarit Sali Butka në Ersekë të Kolonjës më 23 korrik u prit jo mirë nga disa qytetarë të Korçës, të cilët ruajnë kujtime të hidhura nga djegia e fundit, djegia e tretë, që iu bë Voskopojës prej çetës së Sali Butkës më 1916. Ndonëse nuk jam specialist i këtij problemi të historisë sonë, po guxoj të jap disa mendime modeste pa pretenduar se e zgjidh problemin.

* * *

Të gjithëve na gëzon fakti që Voskopoja ka marrë një zhvillim të ri këto 20 vitet e fundit. Krahas vendasve edhe shumë korçarë që kanë lidhje origjine me këtë qendër banimi, kanë ndërtuar shtëpi të bukura dhe hotele e restorante. Kampi i dikurshëm i pionierëve është kthyer në një kompleks banesash me dhoma gjumi, restorant e kuzhinë ku gatuhet ushqim i shijshëm. Janë restauruar dhe disa kisha. Por nuk na vjen mirë që shumica e banorëve të këtij fshati pas vitit 1992 u shpallën grekë dhe kanë marrë pashaporta greke, pa ditur gjuhën greke dhe pa pasur gjak grek, gabim që e patën bërë në të kaluarën voskopojarët e pasur e të shkolluar në shkollat greke të asaj kohe.

E ndodhur në një pllajë të bukur në degën e Rrugës Egnatia, degë e cila fillonte nga porti i Vlorës dhe kalonte në Berat, Voskopojë e pastaj lidhej te Qafa e Thanës me pjesën kryesore të Rrugën Egnatia që vinte nga Durrësi e Skampa dhe kalonte në Strugë, Ohër, Manastir, Edesa, Veria, Thesalonik e deri në Bizant (Kostandinopojë).

Deri sot në Voskopojë nuk janë bërë ende gërmime arkeologjike për të gjetur mbetje të kohës para Perandorisë Romake, ose të kësaj kohe, por fakti që aty ka ekzistuar, si në shumë qendra banimi anës Rrugës Egnatia dhe degëve të saj, një popullsi që flet rëmëneshti (emri i gjuhës që flet popullsia rëmëne, ose vllahe si e quajnë disa), tregon se Voskopoja ka qenë një qendër banimi para pushtimit romak dhe se në këtë qendër pushteti romak vendosi krahas banorëve vendës edhe disa familje aromane të sjella nga Italia për të ruajtur e mirëmbajtur segmentin e Rrugës Egnatia nga Berati te Qafa e Thanës. Kjo popullsi kishte për detyrë edhe të furnizonte ushtrinë romake me ushqime blegtorale (mish, qumësh, djathë, gjalpë, etj) dhe prodhime leshi (fanella, çorrape, guna, çadra, etj).

Ashtu si në Durrës, Divjakë, Kavajë, Skampa, Strugë, Ohër, etj edhe në Vlorë, Selenicë, Berat, Voskopojë, etj, popullsia aromane u vendos në qendra të banuara nga ilirët vendës dhe jo në vende të shkreta. Që në kohën e Perandorisë Romake kjo popullsi e ardhur, jetoi në paqe me banorët vendës, ilirë, grekë, maqedonë e bullgarë, por edhe pse jetoi si diasporë e shpërndarë pa krijuar një territor kompakt, ajo u mirëtrajtua prej vendasve dhe nuk u asimilua. Ruajti krahas gjuhës dhe tiparet e veta etno kulturore. Gjatë shek XIV qeveria qendrore e Perandorisë Bizantine e quajti këtë poppllsi me emrin e ri popullsi Vllahe / Vllehë, me qëllim që t’ia mohonte origjinën italike dhe ta lidhte me krahinën e Vllahisë si pjesë e popullit Rumun, pra e quajti popullsi ballkanike me origjinë rumune. Por edhe sot kjo popllsi e quan veten Rëmën (ardhur nga fjala Aromani) dhe gjuhën e vet e quan Rëmëneshti (ardhur nga fjala Aromaneshti) dhe nuk e quan veten Vllah dhe gjuhën e vet nuk e quan Vllaheshti.

Pas rënies së Kostandinopojës, gjate shek XV-XVII, në Voskopojë erdhi një sasi emigrantësh bizantino-greke, njerëz të pasur e të kulturuar, që u larguan nga Kostandinopoja (të cilën pas pushtimit turqit e quajtë Stamboll). Kjo shtresë e re dalngadal filloi ta kthente këtë qendër banimi në një qytet të lulëzuar. Krahas greqishtes pasardhësit e kësaj shtrese mësuan edhe gjuhën arëmëne dhe kjo gjuhë e përkrahur prej kësaj parie u bë gjuha mbizotëruese në këtë qytet me popullsi të përzjerë shqiptare, rëmëne dhe greke-bizantine. Pra në Voskopojë fliteshin tri gjuhë: gjuha rëmëne (vllahe), gjuha shqipe dhe gjuha greke. Shumica e banorëve sidomos burrat, i flisnin të tri gjuhët, por për gjuhë kulture, gjuhë kishe dhe tregtie përdorej greqishtja. Turqishten e dinin shumë pa persona, njerëz që kishin lidhje me pushtetin turk.

Paria e këtij qyteti që përbëhej prej të ardhurve bizantino-grekë dhe pasardhësve të tyre hapi nja dy shkolla fillore dhe një shkollë të mesme që e quajti Akademi, ku të gjitha lëndët jepeshin në gjuhën greke. Në këto shkolla filluan të studjonin edhe bijtë e të pasurve shqiptarë dhe arëmënë (vlleh). Në fillim programet e këtyre shkollave vinin nga Patrikana e Stambollit. Aty zotëronte mësimi i gjuhës greke dhe i historisë dhe i letërsisë së popullit grek që nga koha e lashtë, koha e Bizantit dhe koha aktuale. Po ashtu zotëronte dhe ideja se Perandoria Bizantine duhej të rikrijohej mbas shembjes së Perandorise Osmane, ku popujt jo grekë duhej të flisnin e të shkruanin gjuhën greke, kurse gjuhët e tyre kombëtare duhej t’i përdornin vetëm si gjuhë të folur në shtëpi. Pra para se të krijohej shteti i lirë grek, paria voskopojare e shkolluar në shkollat greke të qytetit të vet nuk punoi e nuk u përpoq të krijonte alfabete përkatës latinë për gjuhën shqipe e atë rëmëne sipas shembullit të rumanishtes, por përdori alfabetin grek për të shkruar në këto dy gjuhë në fjalorët disagjuhësh, që u krijuan për të mësuar gjuhën greke. Madje edhe për fjalët e gjuhës bullgare u përdor alfabeti grek dhe jo alfabeti cirilik që pvrdorej prej klerikëve dhe intelektualëve bullgarë.

Përmes shkollimit dhe propagandës iu imponuan idetë filogreke gjithë banorëve të Voskopojës. Kështu që intelektualët voskopojarë nuk bënë asnjë përpjekje për të shkruar gjuhën rëmëne dhe gjuhën shqipen me alfabet latin. Po ashtu ata nuk bënë asnjë përpjekje për të mbledhur e zhvilluar folklorin e popullsisë rëmëne (vllahe) dhe asaj shqiptare, asnjë përpjekje për njohjen e historisë dhe prejardhjes së popullit rëmën dhe atij shqiptar, si dhe për popullarizimin e flamurit të Skënderbeut dhe bëmat e tij, etj.

Pas shpalljes së shtetit të ri shqiptar, në kohën kur forcat e ushtrise greke më 1912, 1914, 1916 digjnin fshatra shqiptare të Korçës (Panarit, Katund, Stratobërdë, Vithkuq, Treskë, Trebickë, qytetin e Përmetit, fshatra të Përmetit e Sarandës, etj, pasanikët e Voskopojës dhe voskopojarët nuk u dolën në krah banorëve të përndjekur dhe as luftuan kundër forcave greke, madje vijuan të propagandonin ide të shovinizmit grek.

Voskopoja e vitit 1916 nuk ishte më qytet, mbasi kishte pësuar dy djegie e plaçkitje më 1768 dhe 1788. Tashmë ajo ishte një fshat, që kishte ende një shtresë të pasur e shkolluar në shkollën greke me bindje grekomane. Kështu që në situatën e rëndë, kur Shqipëria e pushtuar nga të huajt mezi po mbijetonte, gabimi e krimi i Sali Butkës për të plackitur lagjen e pasur grekomane, është i kuptueshëm edhe pse është krim. Eshtë krim i imponuar nga lufta që duhej bërë në atë kohë të trazuar kundër shovinizmit e propagandës antishqiptare grekomadhe.