Grenell e akuzon Gjermaninë për refuzimin e “zgjidhjes” që ofronin Thaçi e Vuçiqi, Kurtin e quan “fashist”

Ish-emisari i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, e ka akuzuar Gjermaninë që nuk e kishte pranuar “zgjidhjen” që ofronin ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Grenell, në një postim në platformën “X”, e ka akuzuar qeverinë gjermane se “është vënë në anën e gabuar të historisë” dhe pse ajo po bashkëpunon me kyreministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin ai e quan “fashist”.

“Albin Kurti ka hedhur poshtë çdo ide që e ka hedhur Perëndimi. Mjerisht, qeveria gjermane dështoi të përqafonte zgjidhjet që Thaçi dhe Vuçiq ranë dakord të parashtronin së bashku. Gjermanët janë në anën e gabuar të historisë: duke përqafuar fashistin Kurtin”, ka shkruar Grenell.

“Çdo vend anembanë botës e dënoi Kurtin për ndezjen e dhunës – përveç Gjermanisë. Republikanët dhe demokratët rrallë bien dakord…por ata pajtohen se problemi është Kurti”, ka shkruar Grenell.

Ish-emisari i SGBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi e ka bërë këtë deklaratë duke marrë shkas nga një postim i ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, për vizitën në Kosovë të Sekretares Parlamentare të Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes së Republikës së Gjermanisë, Siemtje Möller, dhe takimin e saj me kryeministrin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani.

Grenell e ka komentuar edhe fitoren e Aleksandar Vuçiqit dhe partisë së tij, SNS, në Serbi. Sipas tij, kjo fitore është “rezultat i menaxhimit të situatës me Kosovën”, se edhe e sjelljes së Albin Kurtit, të cilin ai e etiketon si “ekstremist”.

Grenell është një kritik shumë i ashpër i Kurtit, qysh kur ishte emisar i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, për shkak se e refuzoi idenë e Thaçit dhe Vuqiçit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes Kosovës e Serbisë, e cila proragandohej si “korrigjim kufiri”, si “shkëmbim territoresh” ose si “shpërkufizim të  shqiptarëve dhe serbëve.

Sipas idesë së Thaçit dhe Vuqiçit, të cilën e përkrahte administrata e ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, Kosova dhe Serbia do të “shkëmbenin” territore midis tyre. Por, kritikët e kësaj ideje e konsideronin atë si “ndarje” ose si “copëtim” të Kosovës”.

(r.m.)