Greqia e përshëndet marrëveshjen Kosovë-Serbi për lëvizjen e qytetarëve

Athinë, 29 gusht 2022 – Athina zyrtare ka përshëndetur marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lëvizjen e qytetarëve.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria e Jashtme e Greqisë shfaqi shpresën se ky është fillimi i procesit të fuqizimit tw dialogut për zgjidhjen e çështjeve të tjera të hapura mes dy shteteve dhe deklaron mbështetjen e saj për ruajtjen e paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe për integrimin e rajonit në Bashkimin Evropian.

“Greqia mirëpret marrëveshjen mes Beogradit dhe Prishtinës që ka të bëjë me lëvizjen e qytetarëve. Marrëveshja është arritur në kuadër të dialogut të promovuar nga Bashkimi Europian, në konsultim me presidentin serb dhe kryeministrin kosovar.

Shpresojmë që ky të jetë fillimi i procesit për fuqizimin e një dialogu të sinqertë për zgjidhjen e çështjeve të tjera të mbetura pezull që kanë të bëjnë me lëvizjen e lirë.

Ne do të vazhdojmë të mbështesim me vepra punën e të dërguarit të posaçëm të Bashkimit Europian për Dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajčák. Greqia vazhdon të punojë për ruajtjen e paqes e stabilitetit dhe për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor¨, thuhet në deklaratë.

Kosova dhe Serbia më 27 gusht arritën marrëveshje për heqjen e dokumenteve të hyrje-daljes për shtetasit e të dyja shteteve. Kjo do të thotë se shtetasit e Serbisë dhe ata të Kosovës do të mund ta kalojnë kufirin me kartat e tyre të identitetit, pa pasur nevojë të pajisen me dokument shtesë të hyrje-daljes.

(r.m.)