Greqia po lufton me zjarret në periferi të Athinës

Athinë, 5 qershor 2022 – Zjarrfikësit grekë po vazhdojnë të luftonjnë me zjarret që kanë shpërthyer të shtunën në rajonet Voula dhe Glyfada, në periferinë jugore të Athinës.

Tymi i zi i dendur mund të shihet deri në Pire, rreth 20 kilometra larg.

Mediat lokale raportojnë se 65 makina zjarrfikëse dhe 283 zjarrfikës vazhdojnë të operojnë në zonat e përfshira nga zjarri.

Autoritetet greke urdhëruan të shtunën evakuimin e banorëve nga zonat e banuara, të cilat rrezikojnë të përfshihen nga zjarri, për shkak të erërave të  forta.

Zjarri shpërtheu të shtunën, në orët e para të pasdites. Zyrtarët thanë se shpërthimi i zjarrit ishte i menjëhershëm. Sipas tyre, tri zjarre të veçanta kanë shpërthyer pothuajse njëkohësisht.

Sipas zëvendësministrit të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Evangelos Tournas, makinat e para të zjarrfikësve ishin në vend 12 minuta pas dhënies së alarmit dhe, tetë minuta më vonë, avionët dhe helikopterët zjarrfikës, gjithsej 17, u ngritën për t’u bashkuar me përpjekjet.

Por, operacionet e zjarrfikësve i bëjnë shumë të vështira terreni malor dhe erërat e forta.

“Me gjithë përpjekjet e mëdha kolektive, pati dëme të kufizuara në disa shtëpi … por ne shmangëm lëndimet ose humbjet e jetëve,” tha Tournas.

Ai ka treguar se me se 61 zjarre kanë shpërthyer në gjithë Greqinë, të shtunën.

Moti i nxehtë dhe i thatë, si edhe erërat e forta të shpeshta, e bëjnë Greqinë veçanërisht të rrezikuar nga zjarret gjatë verës.

Në gusht të vitit të kaluar, zjarret shkatërruan gjysmën veriore të ishullit të dytë më të madh të Greqisë, Evia.

Të enjten, Komisioni Evropian tha se më shumë se 200 zjarrfikës dhe pajisje teknike nga vendet e Bashkimit Evropian do të vendosen së shpejti në Greqi, për të mundësuar një reagim të shpejtë ndaj zjarreve të mëdha.

“Ne jemi ende në fillim të verës dhe synimi ynë është që të zbusim pasojat e rënda të këtyre fenomeneve të reja, të shkaktuara nga kriza klimatike”, tha Christos Stylianides, Ministër i Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile.

(r.m.)