Greqia proteston te Serbia dhe Ukraina lidhur me ngarkesën e avionit të rrëzuar në Kavala

Athinë, 18 korrik 2022 – Greqia u ka dërguar nota proteste Serbisë dhe Ukrainës që nuk e kanë informuar me kohë për ngarkesën e avionit që u rrëzua pranë qytetit Kavala, të shtunën në mbrëmje, njoftuan burimet diplomatike greke, të hënën.

“Ambasadori grek në Beograd është udhëzuar që të ankohet te Qeveria serbe për të theksuar nevojën që autoritetet greke të informohen paraprakisht për natyrën e ngarkesës së avionit”, tha një zyrtar i Qeverisë greke, i cili nuk deshi të identifikohej, para se të bëhej njoftimi zyrtar.

Një burim diplomatik grek tha se Ministria e Jashtme e Greqisë i ka dorëzuar notë proteste edhe ambasadorit të Ukrainës në Athinë, për shkak se Greqia duhet të ishte njoftuar paraprakisht në lidhje me natyrën e ngarkesës së avionit.

Avioni ukrainas i mallrave u rrëzua rreth 40 kilometra në perëndim të Aeroportit Ndërkombëtar të Kavallës. Tetë anëtarët e ekuipazhit, të gjithë ukrainas, e humbën jetën.

Autoritetet serbe thanë se avioni po bartte 11.5 tonë minahedhës dhe mina për në Bangladesh. Avioni ishte paraparë të bënte një ndalesë në Aman të Jordanisë.

Para përplasjes së avionit, piloti kishte njoftuar se kishte probleme me njërin nga katër motorët e avionit dhe kërkoi leje për ulje emergjente në aeroportin e Kavalës, por sinjali i avionit humbi menjëherë pas telefonatës.

Autoritetet greke e kanë bllokuar zonën të shtunën kurse banorët e zones u këshilluan t’i mbanin të mbyllura dyert dhe dritaret, për shkak të frikës së me avionë po transportoheshin materie helmuese.

(r.m.)