Greqia reagon ashpër për arrestimin e Fredi Belerit në Himarë

Athinë / Stokholm, 12 maj 2023 – Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis, ka reaguuar lidhur me arrestimin e kandidatit për Bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, i dyshar për blerje votash.

“Një ngjarje jashtëzakonisht e pakëndshme ka ndodhur në Shqipërinë fqinje, mëngjesin e sotëm, ku fatkeqësisht u arrestua kandidati për kryetar të Bashkisë së Himarës dhe anëtari i minoritetit kombëtar grek, Fredi Beleri”, ka thënë Mitsotakis në ujdhesën Lesbos, në fushatë për zgjedhjet parlamentare në Greqi.

Ai u ka bërë thirrje autoriteteve shqiptare që z. Beleri ta lirojnë nga arresti.

“Nëse Shqipëria dëshiron të afrohet me Bashkimin Evropian, ka detyrimin të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme bashkiake dhe të lirojë menjëherë ata që i ka burgosur, në mënyrë që ata të marrin pjesë në procesin zgjedhor”, ka theksuar Mitsotakis.

Më herët përmes një postimi në Facebook, ai njoftoi se për arrestimin e Belerit e ka njoftuar edhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen.

“E informova Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për arrestimin, për akuzat e pabaza të kandidatit për kryetar bashkie të Himarës dhe anëtarit të pakicës kombëtare greke, Fredi Beleri, dy ditë para zgjedhjeve. Shqipëria duhet të kuptojë se Greqia dhe Bashkimi Evropian nuk do të bëjë lëshime në sundimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicës kombëtare greke”, ka shkruar ai.

 

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, ka reaguar për arrestimin e kandidatit për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri, nga Stokholmi, para takimit joformal të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian.

“Arrestimi, dy ditë para zgjedhjeve, i anëtarit të minoritetit grek, Fredis Beleris, kandidat për kryetar bashkie në Himarë të Shqipërisë, si dhe një tjetër shtetasi grek, përbën një skandal nëse nuk ka prova të pakundërshtueshme. Për këtë e kam njoftuar tashmë Përfaqësuesin e Lartë të BE-së, Josep Borrell,dhe ministrin e Jashtëm suedez Tobias Billstrom që ushtron Presidencën”, ka shkruar Dendias në Twitter.

(r.m.)