Gresa Caka – Nimani zgjidhet kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës edhe për një mandat

Prishtinë, 5 qershor 2024 – Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se Gresa Caka-Nimani është zgjedhur edhe për një mandat në krye të kësaj gjykate.

“Në seancën administrative të mbajtur më 5 qershor 2024, në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë rizgjedhur kryetaren aktuale të Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, për një mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet tutje në njoftim.

Gresa Caka-Nimani është dekretuar gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më 30 dhjetor 2015.

Deri në emërimin e saj, gjyqtarja Caka-Nimani ka shërbyer si Këshilltare e Lartë Ligjore dhe Udhëheqëse e Ekipit të Zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në Agjencinë Amerikane për Zhvillimin Ndërkombëtar (USAID).

Gjatë shërbimit të saj në USAID, ndër të tjera, ajo ka qenë përgjegjëse për të këshilluar në hartimin e strategjive të USAID-it; dhënien e këshillave dhe të opinioneve rreth ligjeve të aplikueshme e Kushtetutës; menaxhimin e portfolios së programeve të sundimit të ligjit, përfshirë reformat në drejtësi.

(r.m.)