Grevat e bllokojnë transportin publik në Gjermani

Berlin, 27 mars 2023 – Rrjeti i transportit në Gjermani ishte pothuajse i bllokuar të hënën, për shkak të grevave të dy sindikatave më të mëdha të punëtorëve në këtë shtet.

Stafi i aeroporteve, porteve detare, hekurudhave, autobusëve dhe metrove, kishte nisur grevën 24-orëshe që në minutat e parë të së hënës.

Sindikatat po kërkojnë paga më të mëdha për punëtorët në mënyrë që të përballojnë më lehtë rritjen e çmimeve.

Deri më tani në Gjermani janë mbajtur disa greva më të vogla, mirëpo kjo e ditës së hënës konsiderohet më e madhja në dekada.

Sindikata Verdi i përfaqëson rreth 2.5 milionë punëtorë të sektorit publik të Gjermanisë, ndërsa sindikata EVG i përfaqëson rreth 230.000 punëtorë.

Verdi kërkon 10.5 për qind rritje të pagës për stafin, ndërsa EVG kërkon rritje prej 12 për qind.

Operatori kombëtar i hekurudhave, Deutsche Bahn, i ka dënuar planet për greva dhe i ka përshkruar si “të pabaza dhe të panevojshme”.

(REL)