Shkup, 11 prill 2022 – Në shumicën e shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut sot nuk u mbajt mësimi për shkak se mësuesit janë hedhur në grevë. Sindikata e Pavarur e Arsimit dhe Shkencës i kërkon Ministrisë së Arsimit që t’ua rrisë pagat punonjësve të arsimit me 18 për qind. Ndërsa autoritetet qeveritare nuk kanë treguar gatishmëri për plotësimin e këtij kushti. Paga mujore e mësimdhënësve në shkollat fillore dhe të mesme është rreth 400 – 450 euro.
Shumë mësues të shkollave nëntëvjeçare dhe të mesme filluan sot grevën, siç e kishte paralajmëruar më parë Sindikata e Arsimit në Maqedoninë e Veriut, pasi qeveria nuk u pajtua me kushtet e tyre për rritjen e pagës. Edhe një numër i kopshteve të fëmijëve nuk u hapën. Megjithatë, Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale tha se të gjithë fëmijët ishin pranuar dhe se ishin gjetur punonjës për përkujdesen ndaj më të vegjëlve.
Mësuesit ishin në vendin e punës, ndërsa nuk u përfshinë në procesin mësimor, ashtu siç kishte vendosur Sindikata, ndonëse u njoftua se në disa vende një numër i vogël mësuesish dhe nxënësish kanë mbajtur mësimin.
Punonjësit e arsimit thonë se ndjehen të nënçmuar dhe të ofenduar me mënyrën se si trajtohen nga autoritetet:
“Ne jemi duke kaluar në një shtresë të mjerimit social. Në bazë të pagave që i marrim dhe mbajmë familje, nuk mjafton as për ngrohjen mujore gjatë dimrit, e jo më për shportën mesatare të konsumit”, thotë Ferat Nesimi, mësimdhënës i Artit figurativ.
Sindikata e Pavarur e Arsimit thotë se ka pasur trysni nga autoritetet, sidomos ndaj punonjësve të kopshteve të fëmijëve për të mos u hedhur në grevë, por se “këto veprime i motivojnë edhe më shumë grevistët të mos lëshojnë pè nga kërkesat e tyre”. Sindikata kërkon rritjen prej 18,4% të rrogave në arsim, në bazë të koeficientit nga ngritja e fundit të pagave minimale.
“Pjesa dërrmuese e arsimtarëve janë në grevë dhe nuk mundet askush me forcë t‘i detyrojë grevistët se si duhet të veprojnë”, tha Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Arsimit. Ai tha se 25 mijë mësues dhe punonjës të kopshteve të fëmijëve janë hedhur në grevë.
Sindikata dhe Ministria e Arsimit janë përpjekur në dy javët e fundit të gjejnë një zgjidhje, por nuk arritën të afrojnë qëndrimet.
Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri tha se ngritja e pagave duhet të bëhet shkallë-shkallë dhe të mos ketë kërcënime dhe të rrezikohet i gjithë procesi mësimor. Qeveria lë të kuptohet se në këtë periudhë kohore po përballet me krizën ekonomike si rezultat i pandemisë së COVID-19 dhe të pasojave globale nga agresioni rus në Ukrainë.
Por, anëtarët e Sindikatës së Arsimit shprehen të vendosur se nuk do ta ndërpresin grevën pa u plotësuar kërkesat e tyre. Ata e kanë mbështetjen edhe të opozitës.
(Isak Ramadani, Zëri i Amerikës)