Prishtinë, 7 qershor 2024 – Autoritetet kosovare e kanë marrë në pyetje të enjten bashkëshorten e Millan Radoiciqit, ish-nënkryetarit të Listës Serbe, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin vdekjeprurës të shtatorit të kaluar kundër Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani.
“Konfirmojmë se në Mitrovicën e Veriut është duke u intervistuar ky person, në prani të avokatit, me ftesë të Krimeve Ekonomike në Prishtinë”, tha Elshani të enjten më herët.
Ai nuk tregoi mbi çfarë dyshimesh u mor në pyetje ajo.
Në prill autoritetet kosovare konfiskuan dhe sekuestruan pasuri të Millan Radoiçiqit në veri të Kosovës.
“Ka pasur një urdhër gjykate për konfiskimin e tri pronave, vilës së Millan Radoiçiqit, restorantit Grey dhe një banese në katin e gjashtë mbi restorantin Grey”, kishte thënë Elshani pas aksionit më 4 prill.
Vila gjendet buzë liqenit të Ujmanit në komunën e Zubin Potokut në veri të Kosovës, ndërsa restoranti dhe banesa gjenden në Mitrovicë të Veriut – ky komuna të banuara me shumicë serbe.
Këto tri prona të paluajtshme ishin sekuestruar fillimisht nga Prokuroria e Kosovës në shtatorin e vitit të kaluar.
Radoiçiq e pranoi se e kishte organizuar dhe udhëhequr sulmin ndaj policisë së Kosovës më 24 shtator në fshatin Banjskë të Zvecanit, ku mbeti i vrarë një polic, ndërsa gjatë shkëmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues.
Kosova ka akuzuar Serbinë se qëndron pas sulmit në Banjskë, por Beogradi ka thënë se nuk ka gisht në të.
Në Kosovë ende nuk është ngritur ndonjë aktakuzë ndaj Radoiçiqit, ndonëse ishte paralajmëruar se do të ngrihej deri në fund të marsit të këtij viti.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Policisë (INTERPOL) kishte lëshuar një fletarrestim për Radoiçiqin me kërkesë të Kosovës, i cili iu dërgua përmes Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Radoiçiq u paraqit para Gjykata e Lartë në Beograd tetorin e vitit të kaluar, por gjykata hodhi poshtë propozimin e Prokurorisë së Lartë Publike për të caktuar masën e paraburgimit, duke e lënë të lirë.
Atij i është shqiptuar masa e ndalimit të daljes nga territori i Republikës së Serbisë, si dhe e ndalimit për të shkuar në Kosovë.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje disa herë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë të përballen me drejtësinë.