Grupi muzikor Djemtë e Detit përfaqëson shqiptaro-australianët në Festivalin e Këngës 63 në RTSH 

Florentina Selmani

Edicioni i 63 i Festivalit të Këngës në RTSH çel siparin sonte më 19 dhjetor dhe mbyllet në datën 21 dhjetor. Festivali 2024 ka një risi të bukur. Për herë të parë në votimin për fituesin është pjesëmarrëse në votim edhe diaspora.

Komuniteti shqiptaro – australian ndihet i privilegjuar dhe i motivuar që përfaqësohet në festën e këngës shqiptare. Valentin Markvulaj, pjesë e grupit muzikor të mirënjohur dhe të pëlqyer “Djemtë e Detit”, merr pjesë me këngën  “Larg”.

Në një bisedë me të mësojmë se i rikthehet skenës së Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, ku grupi muzikor u prezantua dhe mori duartrokitjet e publikut shqiptar plot 25 vite më pas. “Emigrimi tim në Australi, në kontinentin e largët, nuk më jepte mundësinë që të bëheshim bashkë, por dëshira për t‘u rikthyer mbeti gjthmonë e fortë. Pas humbjes së këngëtarit tonë, mjaft të dashur për publikun shqiptar, Gent Demaliaj, ndjeva nevojën bashkë me grupin, që të vazhdonim rrugtimin e  lënë përgjysëm dhe për t’i risjellë publikut tingujt e muzikës sonë”, thotë Markvulaj.

Kënga, e cila i dedikohet emigrantëve shqiptarë, është një pasqyrë e thellë e ndjenjave të  tij për vendlindjen. Si kompozitor, orkestrues dhe performues  i këngës, Valentin Markvulaj, na flet për rrugëtimin e tij emocional në realizimin e saj dhe bashkëpunimin e bukur me artistin e madh të filmit dhe skenës shqiptare, dhe poetin e autorin e disa teksteve të këngëve, Timo Flloko. Duke punuar me Timo Fllokon, autor i tekstit të këngës Larg, Valentini thotë se “kemi ndarë kujtime dhe ndjenja të thella, për vendlindjen.” Kënga flet për ëndrrat që janë tretur, por edhe për forcën e lidhjes me Shqipërinë.

Dëshira e komunitetit  mbarëshqiptar në Australi është që ajo të jetë fituesja e Festivalit të Këngës në RTSh. Kozeta Gjika shkruan “Grupi “Djemtë e Detit “ që do të performojë në  këtë festival, është  grupi  im i preferuar, jo vetëm se është nga qyteti ku unë jetova e punova për 22 vjet, por edhe sepse e kam njohur nga afër Gentin, solistin e grupit. Po ashtu edhe për faktin se kënga e Valentinit  është  një vazhdimësi e këtij grupi, në respekt e nderim për një nga krijuesit e grupit. Do të votojmë Valentinin tonë, pasi çdo emigrant nën tingujt e bukur muzikor të këngës “Larg“, kompozuar prej tij dhe me tekstin e ndjerë të Timo Fllokos, artistit të madh, gjen diçka nga jeta dhe historia e tij në emigracion, në veçanti mallin e pashuar për vendlindjen.

Përmes artit të muzikës, krijuesve dhe zërave të rinj, festa e këngës shqiptare përfaqëson vlerat tona kombëtare, në një festival që ka bërë histori. Në këtë edicion ringjitet në skenën e madhe pas shumë vitesh grupi “Djemtë e detit” duke e bërë shumë krenare bashkësinë shqiptare-australiane.

Comment

*