Podgoricë, 29 gusht 2023 – Në korrik të vitit 2011, dy burra me pasaporta të Afrikës së Jugut dhe me së paku 28 kilogramë gurë të çmuar opal hynë në një aeroplan në Cyrih dhe fluturuan për në Podgoricë.
Ajo që ndodhi më pas, ndezi një dekadë intrigash për fatin e gurëve, të cilat përfshinë oborrtarë të një dinastie të dyshimtë, një sipërmarrës të pasurive të paluajtshme dhe një mori padish, që kulmuan me një kërkesë për dëmshpërblim – më të madhe se gjysma e bruto prodhimit të brendshëm të Malit të Zi.
Në këtë mes kishte akuza për kontrabandë dhe vjedhje, si dhe ndalim të përpjekjeve të Qeverisë për t’i vlerësuar apo për t’i shitur gurët.
Por, çështjen tani pritet ta zgjidhë një gjykatë në qytetin e Kotorit, më 31 gusht.
“Paditësit po kërkojnë kthimin e opaleve të sekuestruara”, i tha Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë gjykatësi i gjykatës së Kotorit, Velko Bullatoviq.
“Rasti është dërguar në ndërmjetësim… në përpjekje për ta zgjidhur në mënyrë paqësore”, tha ai.
Opali është një mineraloid që hyn në kategorinë e të çmuarve ose të zakonshmëve, varësisht ngjyrave dhe densitetit që ka.
Opale të çmuara kishte sidomos në mesin e mbretërve evropianë, kur burim i vetëm i njohur i tyre ishin minierat në Sllovakinë e sotme lindore.
Kjo ndryshoi me zbulimin e depozitave të mëdha të opalit në Australi, në shekullin e 19-të.
Gurët me cilësi të lartë arrijnë ende vlerën e dhjetëra mijëra dollarëve për karat.
Avokatët e afrikano-jugorëve argumentojnë se opalet e cilësisë së lartë, që u konfiskuan, kapin vlerën e 3 miliardë eurove.
Për shtetasit e Afrikës së Jugut që janë në qendër të çështjes, Robert Fenjek dhe Antony Vernon Strelensky, dihet pak. Nuk dihet as pse i çuan gurët e çmuar në Mal të Zi, në korrik të vitit 2011.
Fenjek dhe Strelensky themeluan një kompani në Podgoricë, me një kapital fillestar prej vetëm 2 eurosh – rreth një muaj para fluturimit të tyre nga Cyrihu.
Kompania Canyon Holdings AD është ende e regjistruar, por nuk ka asnjë indikacion zyrtar se është aktive financiarisht. Ueb-faqja e autoritetit të të hyrave dhe doganave nuk tregon raporte financiare nga kompania për vite me radhë.
Të dy burrat prezantoheshin në të kaluarën si përfaqësues të një mbreti të vetëquajtur, Stefan Tchernetich, i cili pretendon se është “princ i Malit të Zi dhe Maqedonisë, Serbisë, Shqipërisë dhe Vojvodinës”.
Tchernetich është ndoshta më i njohur për malazezët për pjesëmarrjen e tij të habitshme – në cilësinë e “princit trashëgimtar” – në një pritje të Ditës së Shtetësisë në vitin 2022.
Ish-presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, kërkoi të hetohet se si u përfshi ai në ngjarjen VIP.
Fenjek pretendoi se është një kont nderi, ndërsa Strelensky një konsull në Pretoria për Shtëpinë e Tchernetichit.
Dy burrat pranuan se kanë udhëtuar me gurët e çmuar për në Podgoricë, në korrik të vitit 2011, kur Mali i Zi kishte pesë vjet që ishte pavarësuar nga Serbia dhe ishte bërë një destinacion për kriminelët e organizuar.
Fenjek dhe Strelensky heshtën për gati një vit përpara se, papritmas, të kontaktonin policinë malazeze për të pretenduar se Branko Qupiq, një sipërmarrës i pasurive të paluajtshme, i specializuar në objekte historike të profilit të lartë, i kishte marrë gurët e tyre.
Ata u thanë autoriteteve se Qupiq i kishte pritur në aeroport një vit më parë dhe se kishte “anashkaluar doganën” për t’i çuar ata në një nga pronat e tij – në hotelin “Belvi” jashtë Budvës – ku gurët e çmuar u vendosën në një kasafortë.
Kur Qupiq refuzoi t’i kthente gurët një vit më vonë, ata thanë se iu drejtuan policisë. Asnjë nga akuzat e tyre kundër Qupiqit nuk u verifikua dhe pretendimet e tyre do të shqyrtohen në procedurën e Kotorit.
Policia i sekuestroi gurët e çmuar dhe, në shtator të vitit 2012, një gjykatë në Podgoricë arriti në përfundimin se ata ishin sjellë në vend në mënyrë të paligjshme dhe urdhëroi konfiskimin e tyre të përhershëm. Gurët, më pas, u vendosën në një kasafortë të Bankës Qendrore.
Në prill të vitit 2013, një gjykatë për kundërvajtje gjobiti Qupiqin, Fenjekun dhe Strelenskyn me nga 4.000 euro, në lidhje me këtë rast, por ende nuk kishte asnjë qartësi publike për origjinën ose fatin e gurëve.
Prej asaj kohe, Fenjek dhe Strelensky bënë përpjekje t’i rikthejnë ata.
Autoritetet malazeze thonë se nga një inventar që bënë në vitin 2014, bëhet fjalë për 28.172 kilogramë opale të papërpunuara dhe gjysmë të çmuara të nëntë llojeve të ndryshme – përfshirë opalin e zjarrit, të bardhë dhe të zi.
Njëri prej gurëve peshon më shumë se 4 kilogramë, duke sugjeruar se është më i madh se opali më i madh dhe më i vlefshëm në botë, “Olympic Australis”, që peshon 3.4 kilogramë, dhe opali i zi më i vlefshëm në botë, “Aurora Australis”. Koleksioni përfshin, gjithashtu, më shumë se një kilogram figurina kafshësh të prera nga guri.
Paditësit, në një dosje të mëparshme, thanë se dëmet e tyre nga sekuestrimi arrijnë në 30 milionë euro, ndërsa në një tjetër thanë se vlera e gurëve të çmuar arrin në 2 miliardë euro.
Zyra e Prokurorit Special të Malit të Zi tha në shtator të vitit 2022 se ka hapur një rast, bazuar në një kallëzim penal, që pohonte se 5.7 kilogramë opale gjysmë të çmuara ishin zhdukur nga institucione të paspecifikuara.
I pyetur në atë kohë nga një gazetar për gurët e konfiskuar, guvernatori Radoje Zhugiq tha se përgjegjësi e vetme e Bankës Qendrore është mbajtja e tyre. “Dhe, ne po e bëjmë këtë në mënyrë të përsosur”, tha ai.
Së voni, Banka Qendrore refuzoi të japë detaje për Radion Evropa e Lirë, duke thënë se “nuk ka të drejtë të japë informacione në lidhje me artikujt që mbahen në Thesar” dhe se ata “nuk janë pronë e bankës”.
Dy afrikano-jugorët ngritën padi – por që dështuan – edhe në Podgoricë në vitin 2014, në Nikshiq më 2017 dhe përsëri në Podgoricë më 2019.
Në rastin aktual në Kotorr, i cili ka nisur në janar, ata i përfaqëson firma e avokatit nga Podgorica, Dragan Prevelliq.
Avokatët këmbëngulin se opalet kapin vlerën e 3 miliardë eurove dhe thonë se, nëse e fitojnë rastin, kjo do t’i shkaktojë dëme serioze shtetit të Malit të Zi.
“Vlerësojmë se dëmi i shkaktuar nga veprimet e paligjshme të shtetit dhe neglizhenca e madhe pas konfiskimit, do të jetë afër ose edhe më i madh se shuma vjetore e buxhetit të Malit të Zi”, thanë nga zyra e Prevelliqit për Radion Evropa e Lirë.
Buxheti i miratuar i Malit të Zi për vitin 2023 parashikon shpenzime prej 2.8 miliardë eurosh.
Mbrojtësja e pronës dhe interesave ligjore të Malit të Zi, Bojana Qiroviq, e cila vepron nën kujdesin e Qeverisë, do ta përfaqësojë shtetin në procedurat e ndërmjetësimit në Kotor.
Qiroviq konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se paditësit kërkojnë kthimin e sendeve të konfiskuara, dëmshpërblim për atë që ata pretendojnë se janë “5 kilogramë që mungojnë” dhe kompensim për fitimet e humbura. Ajo tha, gjithashtu, se ekspertët do ta vlerësojnë vlerën e gurëve për procedurat e gjykatës.
Në vitin 2021, një vlerësim u porosit nga Administrata malazeze për Pronën Shtetërore, nën ministrin e atëhershëm të financave, Millojko Spajiq, për të përcaktuar madhësinë dhe vlerën e mundshme të gurëve të konfiskuar, pasi Qeveria kishte vendosur “të hynte në procedurë për shitjen e tyre”.
Administrata për Pronën Shtetërore, megjithatë, konfirmoi se procesi i përcaktimit të vlerës së opaleve është pezulluar.
Velko Bullatoviq, zëdhënës i gjykatës së Kotorit, i tha Radios Evropa e Lirë se gjykata ka nxjerrë një vendim të përkohshëm që e ndalon “asgjësimin ose tjetërsimin e opaleve” deri në marrjen e një vendimi, duke bllokuar kështu çdo përpjekje të Qeverisë për të dërguar mostra jashtë vendit për testim.
(REL)