Guterres: Kosova dhe Serbia të realizojnë detyrimet e marra

Nju Jork, 21 mars 2023 – Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) e ka mirëpritur pajtimin e Kosovës dhe Serbisë me marrëveshjen drejt normalizimit të marrëdhënieve midis tyre dhe me aneksin për zbatimin e saj, të shprehur në takimin e Ohrit, më 18 mars.

Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres, duke përshëndetur deklaratën e BE-së për marrëveshjen e arritur në Ohër, ka thënë se pret që palët t’i realizojnë detyrimet e marra.

“Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, mirëpret deklaratën e fundit nga Bashkimi Evropian për marrëveshjen ndërmjet palëve për zbatimin e Marrëveshjes që çon në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka njoftuar zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Farhan Haq.

Ai tha se është e rëndësishme që tani palët të punojnë me shpejtësi dhe mirëbesim për të realizuar të gjitha detyrimet e përcaktuara në Marrëveshje, për të mirën e të gjithëve.

“Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve që dalin nga dialogu Beograd-Prishtinë i lehtësuar nga BE-ja”, thuhet tutje në reagimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) cituar nga zëdhënësi Farhan Haq.

(r.m.)