Nju Jork,17 gusht 2022 – Kombet e Bashkuara thanë se Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres do të takohet të enjten në Ukrainën perëndimore me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.
Zëdhënësja e OKB-së, Stephane Dujarric tha se ftesa për takimin trepalësh është bërë nga presidenti Zelenskyy.
Udhëheqësit përfaqësojnë tre nga katër anëtarët e Nismës së Drithërave në Detit të Zi. Rusia është anëtari i katërt. Marrëveshja, e nënshkruar në Stamboll më 22 korrik, ka lejuar rifillimin e eksporteve të grurit ukrainas për tregjet ndërkombëtare, duke hequr disa pengesa për shitjen e plehrave kimike ruse dhe lëndëve ushqimore.
Rreth 20 milionë tonë grurë ukrainas ka mbetur në depo dhe në rreth 22 anije që janë bllokuar në portet jugore të vendit, që nga sulmi i Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt.
Situata ka rritur çmimin e artikujve ushqimorë në tregjet globale në një kohë kur Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se një rekord prej 345 milionë njerëzish në 82 vende, po përballen tani me pasiguri akute ushqimore, ndërsa deri në 50 milionë njerëz në 45 vende janë në prag të urisë. Para luftës, eksportet e drithërave nga Ukraina furnizonin rreth 400 milionë njerëz në mbarë botën.
Të premten, sekretari Guterres do të shkojë në portin e Odesës për të parë operacionin në veprim. Më pas ai do të udhëtojë për në Stamboll, ku të shtunën do të vizitojë Komisionin e Koordinimeve të Përbashkëta.
Zëdhënësja Dujarric tha se shefi i OKB-së do të ketë një takim dypalësh me presidentin Zelenskyy, gjatë të cilit ka të ngjarë të ngrihen një sërë çështjesh, përfshirë nevojën për një zgjidhje politike të konfliktit dhe nevojën urgjente për një mision teknik nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) në centralin bërthamor të Zaporizhzhias. Ky objekt aktualisht ndodhet në territorin e kontrolluar nga Rusia dhe ka qenë objekt i bombardimeve javët e fundit, për të cilin IAEA thotë se rrezikon një “katastrofë bërthamore”.
Moska ka akuzuar sekretariatin e OKB-së për bllokimin e vizitës, një akuzë që OKB-ja e mohon.
“Për termocentralin, nuk ka pasur asnjë ndryshim, megjithatë, në pozicionin tonë, ne jemi atje për të mbështetur zbatimin e mandatit të saj nga IAEA,” u tha Dujarric gazetarëve. “Ne jemi të gatshëm ta mbështesim atë nga ana logjistike dhe sigurinë nga Kievi.”
(Zëri i Amerikës)