Prishtinë, 30 janar 2024 – Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, ka thënë të hënën se rregullorja e re e BQK-së nuk e ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në valutën euro në llogaritë bankare në bankat e licencuara dhe se as nuk e kufizon këmbimin e cilësdo valutë në institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK-ja.
“Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet”, ka thënë ai.
Ismaili ka theksuar se vetëm në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, operojnë katër degë bankare, tri institucione mikro-financiare (kredidhënëse) si edhe mbi 15 institucione financiare jobankare për pagesa dhe këmbimore.
“Numri i degëve dhe zyrave të institucioneve financiare që operojnë në atë zonë është në rritje, pasi përfshirja financiare është objektiv i BQK-së”, thuhet në njoftimin e BQK-së.
Guvernatori Ismaili i ka bërë këto shpjegime të hëmën, gjatë takimit me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier.
Ambasadori amerikan i ka kërkuar guvernatorit Ismaili që të shtyjë zbatimin e vendimit për përdorimin vetëm të valutës euro në operacionet me para të gatshme.
“Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në plafformën X.
Rregullorja e re e BQK-së, e miratuar javë më parë, kërkon që prej 1 shkurtit të gjitha transaksionet me para të gatshme në Kosovë të bëhen me euro. Me këtë rregullore pamundësohen pagesat me dinarë të Serbisë në operacionet me para të gatshme. Rregullorja ka për qëllim vënien nën kontroll të sistemit të pagesave, uljen e shkallës së informalitetit dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovë vazhdon të përdoret dinari serb në operacionet me para të gatshme. Punëtorët e institucioneve paralele serbe në Kosovë i marrin pagat në dinarë, sikurse edhe pensionistët dhe përfituesit e shtesave për fëmijë dhe të ndihmave sociale nga Serbia.
Në objektet tregtare në këto vendbanime përdoretn euro dhe dinari serb.
Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila kontrollohet nga Beogradi, ka thënë se kjo rregullore e BQK-së “e rrezikon mbijetesën e serbëve në Kosovë”.
Edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kërkuar të hënën anulimin e rregullores së BQK-së për pagesa vetëm me euro.
(r.m.)