Hagë: Ndërpritet dëshmia e Sokol Dobrunës. Gjykata i pranoi si prova deklaratat e tij të mëparshme

Hagë, 15 janar 2025 – Dhomat e Specializuara të Kosovës në Haqë, e njohur në diskursin publik si Gjykata Speciale, ka vendosur ta ndërpresë dëshminë e Sokol Dobrunës në rastin “Thaçi dhe të tjerë”, pasi të dy palët janë pajtuar që deklaratat e tij të mëparshme të pranohen si prova.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smiht III, palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat me shkrim që ai tashmë i ka dhënë në Dhomat e Specializuara.

“Dëshmitar, ne do të ndërpresim dëshminë tuaj këtu, sepse palët kanë rënë dakord që të pranohen deklaratat që keni dhënë ju më parë dhe që ato janë të plota dhe pranohen si të tilla. E kemi marrë këtë vendim sepse ju kishit disa vështirësi në të mbajturit mend të disa prej çështjeve. Ky është vendimi i trupit gjykues. Nuk është e nevojshme që të jepni më dëshmi. Ju falënderojmë që ishit i pranishëm dhe ju urojmë gjithë të mirat, dëshmitar”, ka thënë gjykatësi Smith.

Dëshmitari Dobruna, i cili do të dëshmonte përmes video-lidhjes, tha ai pajtohet që deklararat e tij të mëparshme të përdoren si prova, por theksoi se ai nuk i pranon plotësht akuzat e prokurorisë kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rerxhep Selimit)

“Faleminderit, por më lejoni të them se një gjë të tillë të Prokurorisë nuk e pranoj plotësisht”, ka thënë Dobruna.

Trupi gjykues konstatoi se deklaratat e mëhershme të dëshmitarit Dobruna së bashku me materialet përcjellëse janë pranuar si prova materiale.

Para ndërprerjes së dëshmisë së tij, dëshmitari ka thënë se i ka harruar shumë detaje nga intervistat e tij të fundit dhe nga takimet e tij me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Dobruna është pyetur nga prokurori John Capin nëse a ka pasur ndonjë urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së për emërimin e tij në pozitën e Shefit të Shërbimit Juridik të UÇK-së. Ai ka thënë se nuk e di procedurën e emërimit të tij në këtë pozitë, por ka shtuar se mendon që ky emërim është bërë me kërkesë të Adem Demaçit.

“Unë procedurën nuk e di se qysh ka ardhë deri tek ajo, por unë e di që kërkesa ka qenë e Adem Demaçit”, tha Dobruna.

Seanca gjyqësore në rastin “Thaçi dhe të tjerët” ka vazhduar me një dëshmitar 113 i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, me kodin W04500, i cili ka dëshmuar përmes video-lidhjes.

“Në vitin 1999, dëshmitari W04500 është arresuar nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar bashkë me disa persona të tjerë dhe më pas është transferuar në një vend ndalimi tjetër bshkë me disa të ndaluar të tjerë. Dëshmitari W04500 është liruar nga ambientet e ndalimit pas rreth një muaji”, ka thënë prokurori Cezary Mihailzcuk në prezantimin e dëshmitarit.

Trupi gjykues i ka pranuar si prova materiale të gjitha deklaratat që ky dëshmitar i ka dhënë më herët, si edhe materialet përcjellëse, të cilat janë klasifikuar si konfidenciale.

(r.m.)

Comment

*